Kosova

Të gjitha partitë opozitare, kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike

Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovë ka mbajtur sot një konferencë për media lidhur me seancën e nesërme të Kuvendit të Kosovës për propozimin e ZRRE-së për rrymën.

Deputeti Besnik Tahiri ka thënë se për AAK-në është i papranueshëm rekomandimi i ZRRE-së që të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike.

“AAK-ja në debatin e thirrur ditën e nesërme, një ndër temat kryesore do të ketë raportimin që është bërë dhe propozimin që ZRRE ka bërë për rritjen dhe dyfishimin e çmimeve. Për ne është e papranueshme që dikush që ka paguar 58.52 cent të paguajë me tarifën e re 109 euro e 42 cent, 100 për qind më shumë. Dikush që harxhon deri në 800 kWh që ka paguar 47.19 euro, të paguajë 74.17 euro”, ka thënë Tahiri.

Ai foli edhe për kërkesat që i kanë për nesër në seancë. Tahiri tha se do të kërkojnë anulimin e rekomandimit të ZRRE-së.

“Nesër në këtë debat presim dy çështje. Presim fillimisht nga shumica parlamentare, nga VV-ja që të reflektojë dhe të votojë Rezolutën tonë që kërkon nga ZRRE-ja dhe Qeveria, pra që obligon Qeverinë dhe ZRRE-në që të mos shtrenjtojë energjinë elektrike. Pra, që të anulohet rekomandimi dhe që ky vendim të mos hyjë në fuqi”, u shpreh ai.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka reaguar pasi Zyra e Rregullatorit për Energji në raportin e fundit konsultativ ka bërë shqyrtimin për ndryshimin e tarifave të energjisë elektrike në Kosovë.

Tahiri ka fajësuar Qeverinë Kurti për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

“Rritja e çmimit të energjisë elektrike si rezultat i paaftësisë së menaxhimit të situatës nga mazhoranca e udhëhequr nga Albin Kurti, është e papranueshme. PDK-ja ka paralajmëruar që nga muaji tetor për krizën energjetike që rrezikonte të përfshinte edhe vendin tonë, për çfarë qeveria qëndroi totalisht indiferente”, ka thënë ai.

Në reagimin e bërë, Tahiri ka thënë se PDK do t’i shterojë të gjitha mundësitë që të mos lejojë shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike.

“Grupi Parlamentar i PDK-së, do t’i shterojë të gjitha mundësitë, që në seancën parlamentare të ditës së nesërme, të mos lejojë këtë barrë të rëndë e të papranueshme për qytetarët e Kosovës”, është shprehur ai.

Ndryshe, Zyra e Rregullatorit për Energji në raportin e fundit konsultativ ka bërë shqyrtimin për ndryshimin e tarifave të energjisë elektrike në Kosovë.

ZRRE thotë se nuk ka nevojë për rritje të çmimit të rrymës për konsumatorët që shpenzojnë deri në 600 kWh energji elektrike në muaj.

“Subvencioni i dhënë nga Qeveria e Kosovës efektivisht ndikon që tarifat e konsumatorëve biznesor të mos pësojnë rritje dhe faturat për konsumatorët shtëpiak të mos rriten për konsumin që mund të ofrohet me tarifën ekzistuese nga kapacitetet vendore në Kosovë deri në 600 kWh për muaj”, thuhet në raport.

Në raport, ZRRE propozon që tarifa për konsumatorët me 800 kWh rrymë të shpenzuar në muaj të rritet në vlerë prej 12.31 eurosh. Ndërsa, konsumatorët që shpenzojnë 1,000 kWh rrymë në muaj të paguajnë 24.62 euro më shumë të çmimit të rrymës.

Ndaj paralajmërimeve për shtrenjtim të rrymës, ka reaguar Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila akuzon Qeverinë për mosveprim, që ka detyruar Zyrën e Rregullatorit të Energjisë të rrisë çmimet. Ndjekim deklaratën e zyrtarit të kësaj partie, Besian Mustafa.

Edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Lirive të Njeriut (KMDLNj) vlerëson se propozimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji për ndryshimin e tarifave të energjisë elektrike është diskriminim i konsumatorëve në baza etnike.

Kjo pasi që shqiptarët janë pagues të rregullt të faturave të rrymës, ndërsa serbët e Veriut nuk paguajnë fare.

E sipas KMDLNj-së, kjo është kundër të drejtave të njeriut dhe në kundërshtim me të gjitha ligjet e zbatueshme në Kosovë që garantojnë trajtim të barabartë dhe jodiskriminues të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

“Me futjen në lojë të tarifave diskriminimi i qytetarëve thellohet edhe më shumë sikur që e humb kuptimin zbatimi i çdo ligji që garanton barazi duke ndarë qytetarë në grupe, ata që shpenzojnë deri në 600 kW, ata që shpenzojnë deri në 800 kW, ata deri në 1000 kW dhe shpenzuesit e tjerë”.

“Për këta që shpenzojnë deri në 600 kW ka subvencionim, kurse qytetarët e dorës së dytë dhe të tretë, sipas ZRRE-së dhe Qeverisë së Kosovës e që shpenzojnë 800, 1000 e më shumë kW, përveç çmimeve të kripura, do të ketë edhe shtesa ndëshkuese që, përveçse është e kundërligjshme, është e pamoralshme dhe në kundërshtim të plotë me të drejtat e njeriut”, thuhet në reagimin e këtij këshilli.

Mes tjerash, KMDLNj ka kërkuar nga deputetët që ta kundërshtojnë ndryshimin e tarifave të energjisë elektrike.

“KMDLNj thërret deputetët e Kuvendit të Kosovës që të kundërshtojnë fuqishëm legalizimin e plaçkitjes së qytetarëve të Kosovës nga KEDS-i dhe ZRRE, sikur edhe diskriminimin flagrant në baza etnike”.

“Nga Qeveria e Kosovës kërkon ta tërheqë kërkesën e ZRRE-së për rritje të çmimit të propozuar të energjisë elektrike, duke lejuar një çmim të arsyeshëm dhe të përballueshëm sikur edhe ta ndërprejnë urgjentisht pagesën për rrymën e shpenzuar për serbët e veriut të Kosovës dhe të shërbimeve të tjera, sepse nuk kanë bazë ligjore për këtë dhe po diskriminojnë në baza etnike dhe raciste mbi 93 % të qytetarëve të Kosovës”, thuhet në reagim.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që të rikthehen bllok-tarifat e energjisë, duke propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovatë të dyfishohet.

Tarifat për biznese dhe 600 kilovatet e parë të amvisërisë do të vazhdojnë të faturohen me tarifat e njëjta që kanë qenë, pra nuk do të ketë shtrenjtim.

Kurse, tarifa për konsumatorët shtëpiakë për konsumin mbi 600 kWh është dyfishuar. Tarifa për energjinë në tarifë të lartë nga 6.75 cent për kilovat është shtrenjtuar në 14 centë, apo një rritje prej 107%. Kurse, tarifa e ulët apo energjia e konsumuar gjatë natës nga 2.89 cent është shtrenjtuar në 6 centë, një rritje prej 107%.