Kosova

GLPS kërkon hetime për punësimet e militantëve

Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka reaguar lidhur me numrin e madh të punësimeve në institucione publike.

GLPS-ja shpreh shqetësimin e thellë me vargun e pafund të punësimeve në institucione publike të familjarëve të drejtpërdrejtë të presidentit, të anëtarëve të Qeverisë së Kosovës dhe partive në pushtet.

“Kjo praktikë mbetet tregues i qartë që bartësit e institucioneve të Kosovës kanë shndërruar pushtetin publik në pronë private dhe që institucionet e Kosovës, me ata në krye, janë në shërbim të familjes, farefisit dhe rrethit tyre të ngushtë”, thuhet në reagimin e këtij grupi.

Aty shtohet se kjo dëshmon se edhe Prokuroria dhe Gjykatat janë degë e klaneve politike të partive në pushtet, sepse me veprime të tilla do të duhej të niseshin hetime për vepra të ndryshme penale, e në veçanti për shkelje të statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës.