Kuriozitete

Google ofron më shumë siguri gjatë kërkimeve në këtë platformë

Tani, ju mund t’i hiqni informacionet tuaja nga rezultatet e kërkimit për çdo arsye – dhe thjesht duke klikuar një buton.

Google më në fund po e bën më të lehtë për ju që të siguroheni që informacionet tuaja personale të mos shfaqen në rezultatet e kërkimit në internet – dhe gjithçka që iu desh për ta mundësuar këtë ishin disa qindra mijë kërkesa gjatë pothuajse një dekade.

Gjiganti i kërkimit në internet në pronësi të Alphabet ka nxjerrë së fundi politika dhe mjete të reja që u mundësojnë përdoruesve të kërkojnë në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë heqjen e të dhënave personale – si për shembull numrin e telefonit, adresën e email-it apo edhe adresën fizike – nga rezultatet e kërkimit. Më parë, përdoruesit duhej të tregonin prova të dëmtimit të mundshëm që vinte nga publikimi i këtyre të dhënave, të tilla si doxxing ose vjedhja e identitetit, për ta detyruar Google që të hiqte informacionin personal nga rezultatet e kërkimit, vuri në dukje kompania në një postim në muajin prill.

“Për shumë njerëz, një element kryesor i ndjesisë së sigurisë dhe të privatësisë në internet është mundësia për të pasur më shumë kontroll mbi vendin se ku mund të gjenden informacionet e tyre,” shkroi Danielle Romain, zëvendëspresidentja për besimin ndaj Google, në një postim ditën e mërkurë.

Ç’është më e rëndësishmja, jo çdo kërkesë është e garantuar se do të miratohet: kompania mund të mos heqë të dhënat tuaja personale nga rezultatet e kërkimit nëse informacioni është i vlefshëm për lajme – për shembull, nëse shfaqet në një artikull lajmesh – ose nëse përfshihet në një faqe interneti qeveritare apo në një burim tjetër zyrtar, sipas Google.

“Është e rëndësishme të theksohet se kur marrim kërkesa për heqjen e të dhënave personale, ne do të vlerësojmë të gjithë përmbajtjen në faqen e internetit për t’u siguruar që nuk po kufizojmë disponueshmërinë e informacioneve të tjera që janë gjerësisht të dobishme, për shembull artikujt e lajmeve,” deklaroi kompania në një postim të mërkurën.

Aktualisht, çdokush mund të plotësojë një formular online për të paraqitur një kërkesë për heqjen e të dhënave personale. Të mërkurën, kompania njoftoi se së shpejti do të prezantohet një mjet i ri, ku përdoruesit që gjejnë informacionin e tyre personal në rezultatet e kërkimit do të mund të kërkojnë heqjen e këtyre të dhënave nëpërmjet thjesht disa klikimeve. Kompania tha se mjeti do të jetë i disponueshëm “në muajt e ardhshëm”.

Kompania ka thënë se dëshiron që të përpunojë shpejt të gjitha kërkesat për heqjen e të dhënave personale dhe se vendimet do të merren përmes një kombinimi të mjeteve algoritmike dhe monitorimit të kërkesave nga njerëzit që punojnë në Google.

Në formularin online, ju mund të klikoni opsionin për të “hequr informacionin personalisht të identifikueshëm (PII) ose përmbajtjen e doxxing nga kërkimi në Google”. Nga atje, ju do të duhet t’i përgjigjeni një sërë pyetjesh në lidhje me llojin e informacionit personal që shfaqet në rezultatet e kërkimit, URL-të e faqeve të internetit ku shfaqet ky informacion, termat e kërkimit të përdorura për të shfaqur këto rezultate në kërkimet në Google dhe madje edhe foto të faqeve të internetit dhe të rezultateve të kërkimit.

Formulari përmban gjithashtu disa pyetje në lidhje me faktin nëse informacioni juaj personal po shpërndahet “për qëllime doxxing”, nëse ka përmbajtje eksplicite ose nëse duhet të hiqet për arsye ligjore.

Sigurisht, këto politika dhe mjete të reja lidhen vetëm me informacionin personal që shfaqet në rezultatet e kërkimit të Google.
Google nuk mund t’i fshijë plotësisht të dhënat tuaja personale nga interneti dhe kompania rekomandon që të kontaktoni faqet e internetit që mbajnë informacionin tuaj drejtpërdrejt për të kërkuar heqjen e tyre nga ato faqe.

Kjo masë ka qenë duke u përgatitur për gati një dekadë: në vitin 2014, Gjykata Europiane e Drejtësisë vendosi që motorët e kërkimit si Google duhej t’i jepnin mundësi përdoruesve europianë të internetit që të kërkonin heqjen e informacionit të tyre personal për shkak të “të drejtës së tyre për t’u harruar”. Gjatë katër viteve të ardhshme, Google tha se kishte marrë më shumë se 650,000 kërkesa për heqjen e të dhënave. / CNBC


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI