Shqipëria

Greqia nis kërkimet për naftë në detin Jon, pranë Shqipërisë

Në parlamentin e Greqisë, Ministria greke e Mjedisit dhe Energjisë ka paraqitur projektligje për ratifikimin e katër kontratave për dhënien me koncension të së drejtës së eksplorimit dhe shfrytëzimit të hidrokarbureve në katër zona detare të detit Jon dhe të Kretës.

Ratifikimi i kontratave – negociatat  për të cilat zgjatën gati katër vjet – është një votë besimi nga kompanitë e mëdha ndërkombëtare të naftës, që do të investojnë një shumë prej 140 milionë eurosh në kërkime.

Konkretisht, për zonat e detit Jon jepen për ratifikim kontratat e nënshkruara në prillin e këtij viti midis shtetit grek dhe Konsorciumit Repsol-Hellenic Petroleum, shkruan TopChanel.

Ndërsa për dy zonat detare pranë Kretës janë dhënë për ratifikim dy kontratat e nënshkruara në qershorin e kaluar midis shtetit grek dhe konsorciumit Total, ExxonMobil dhe Hellenic Petroleum.

Kanë disa muaj që “ExxonMobil ” dhe “Total” , të cilat janë dy prej kompanive më të mëdha botërore të naftës, po eksplorojnë  në disa prej zonave ekonomike ekskluzive të Qipros, ku kanë zbuluar  një rezervë gjigante gazi.

Kjo dhënie me koncesion vlerësohet nga Athina zyrtare se do të rrisë rolin e Greqisë në rajon dhe në botë, për sa i përket kërkimit dhe shfrytëzimit të  hidrokarbureve.

Studimet e viteve të fundit vleresojnë gjithashtu se  vlera e rezervave të naftës dhe gazit natyror që pritet të shfrytëzohen gjate dy dekadave në zonat në fjalë, me çmimet aktuale shkojne deri në 3.5 trilionë dollarë, prej të cilave një të gjashtën, d.m.th. rreth 600 mld dollarë do t’i përfitojë shteti grek.

Përfitimi tjetër është fakti i krijimit të qindra-mijëra vendeve të punës dhe përforcimi i ekonomisë lokale, përcjell albinfo.ch.