Bota

Hapet klasa me mësim plotësues në gjuhën shqipe, në Freising të Gjermanisë

Hapet klasa me mësim plotësues në gjuhën shqipe, në qytetin e Freisingut në landin e Bavarisë.

Hapja u bë në prani të bashkëkombasëve, kryetarit të LAPSH-it, Milazim Ukaj e arkatarit Rexhep Nikçi.

Të pranishëm ishin edhe nxënës, prindër e mësues të cilët për një vit e më tepër ishin të përkushtuar në bashkëpunim me LAPSH-in në Bavari që edhe në këtë pjesë te ketë shkollë shqipet, me qëllim që të ruhet dhe të mësohet gjuha shqipe te çdo fëmijë mërgimtarë-shqiptarë.

Të pranishmëve ju drejtuar kryetari I LAPSH-it, Milazim Ukaj i cili tha se LAPSH-I me punën e saj të palodhshme dhe krejt vullnetare, para vetes ka sfida të mëdha.

“Me një përkushtim dhe bashkëpunim, me secilin bashkëkombës që përkrah shkollën shqipe, të punojmë në këtë drejtim. Ne, jemi të angazhuar që së bashku me prindërit, aktivistët dhe shoqatat ta zgjerojmë aktivitetin tonë, aty ku ka kërkesa dhe mundësi të hapjeve të klasave. Qëllimi ynë është:

Sa më shumë të kemi fëmijë në shkollën shqipe dhe për këtë shfrytëzojë rastin t’i ftoj të gjithë bashkëkombësit, prindërit shqiptarë, të mos hezitojnë, t’i sjellin fëmijët në shkollë, sepse është për të mirën e tyre, për të mësuar gjuhën, historinë, gjeografinë dhe kulturën shqiptare! Me këtë, fëmijët, përpos që përfitojnë njohuri bazë, ruajnë edhe identitetin e tyre kombëtar. Andaj, Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptar (LAPSH-ja) për Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe në Bavari, në bashkëpunim me Këshillat e Prindërve dhe dy konsullatave tona në Munih, jemi të angazhuar që me përkushtimin e përbashkët që e kemi ta sensibilizojmë, tek bashkëkombësit, rrugën e vlerave kombëtare. Po ashtu të bashkuar të arrijmë deri te vetëdijesimin i bashkëkombësve, për të nxit fëmijët që të jenë pjesë e mësimit në gjuhën shqipe; Që këtë gjuhë hyjnore ta joshin edhe fëmijtë tanë mërgimtarë, që përmes ngrohtësisë së gjuhës ta ndiejnë dashurinë për atdheun, këngën, identitetin, historinë, gjeografinë, për rrënjët e thella Pellazgo-Iliro-Shqiptare”, tha Ukaj, transmeton albinfo.ch

Ai gjithashtu tha se LAPSH-ja po bën çmos që sa me shumë dhe sa më mirë të bëj organizimin dhe hapjen e klasave edhe në qytetet tjera, ku jetojnë bashkatdhetarët tanë.

“Ne, jemi në përpjekje e sipër të hapjes së klasave edhe në këto qytete: Landshut, Dachau, Kaufbeuren, Augsburg, Olching, Garching etj., të cilat dhe pritën të hapen së shpejti si kjo në Freising. Po nuk mund të mos jem falënderues për punën e madhe të Këshillit të Prindërve, prindërve të nxënësve, si dhe për mësuesen, Buqe Arifaj, që arritën të hapin klasën me 27 nxënës dhe për këtë ju uroj suksese,” përfundoi kryetari Ukaj.

Ndërsa mësuesja, Buqe Arifaj premtoi angazhimin e saj maksimal në punën e saj.

“Nxënës, prindër të nderuar, unë, ju premtoj se do të jem e angazhuar maksimalisht në realizimin dhe qëllimin e punës sime, për avancimin e nxënësve në mësimin plotësues në gjuhën Shqipe”, përfundoi ajo.