Shqipëria

I dënuar në Itali me 32 vjet burg, në Shqipëri i konfiskohet pasuri prej 1 milion euro

1 milionë euro pasuri të paluajtshme të përfituara nga veprimtari kriminale u sekuestruan në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit” që godet krimin e organizuar dhe pastrimin e parave.

Pasuritë e sekuestruara janë në pronësi të Arben Gropës (Vangjel Ziaj) 50 vjeç nga Fieri, i dënuar në Itali për vepra të ndryshme penale.

Biznesmeni fierak Arben Gropa, ndryshe Vangjel Zijaji është dënuar me plot 32.6 vite heqje lirie është dënuar, raportojnë mediat shqiptare.

Sipas dosjes së prokurorisë, gjykatat italiane kanë dhënë tre vendime penale në ngarkim të tij, ku rezulton se Arben Gropa është një person i dënuar gjithsej me 32 vjet dhe 6 muaj burgim, dënim ky i dhënë për vepra penale me rrezikshmëri të theksuar shoqërore, të parashikuara të tilla edhe nga Kodi ynë Penal siç janë “trafikimi i lëndëve narkotike” heroinë në sasira të mëdha e vlerësuar rreth 300.000.000 lireta italiane, si dhe “Prostitucion dhe pjesëmarrje në organizata kriminale”, përcjell albinfo.ch.

Policia shqiptare sqaron se pasuritë e sekuestruara kapin  vlerën  e 1 milion euro, mes të cilave janë një kompleks shërbimesh “Pelikani” i ndodhur në lagjen “Sheq i Madh” Fier, një apartament me sipërfaqe 70 metra katror në lagjen “Kryengritja e Fierit” dhe një veturë i markës “Benz”.

Policia thotë se vijon puna për identifikimin e pasurive të tjera që mund të ketë Arben Gropa dhe personat e lidhur me të.