Bota

I zhdukur prej 15 vjetësh, gjenden eshtrat e italianit në liqen

Në kërkim gruaja shqiptare

Policia italiane ka gjetur pas 15 vjetësh trupin e një shtetasi italian të zhdukur në vitin 2004. Skeleti i 59-vjeçarit Rosario Tilotta, rezident në Scanzorosciate, që humbi kontaktet 15 vjet më parë, ndodhet në një autoveturë “Ford Fiesta” në 80 metra thellësi.

Zhytësit e karabinierëve të Genovas janë angazhuar për të nxjerrë trupin e tij.

Ata kanë arritur të filmojnë makinën dhe trupin, që sipas videove të dorëzuara nga zhytësi i Sebino Rescue Group të karabinierëve, ndodhej në gjendje sapunifikimi (një formë dekompozimi që ndodh kur trupat janë zhytur në ujë, në të cilin lëkura është e mbuluar nga një substancë e bardhë dhe e hollë e ngjashme me sapunin).

Sipas autoriteteve, operacionet për nxjerrjen e makinës do të zgjasin, pasi është e vështirë nxjerrja nga 80 metra thellësi duke ruajtur trupin.

Ndërkohë policia vijon hetimet për të rënë në kontakt me gruan e viktimës, një shtetase shqiptare, e cila pas zhdukjes së bashkëshortit është kthyer në vendlindje. Sipas policiaë italiane, ajo nuk ka qenë në Itali që prej vitit 2007. Policia po pret përgjigje nga Konsullata shqiptare dhe policia shqiptare për gruan, e cila duhet të marrë edhe pensionin e të shoqit, tashmë të vdekur.

Dje policia ka marrë në pyetje vëllain e viktimës Diego Tilotta, i cili ka pohuar se kishte humbur kontaktet shumë kohë para se Rosario të zhdukej. I vëllai ka treguar se Rosario shpenzonte shumë para, por askush në familje nuk e dinte se çfarë jete bënte dhe kë frekuentonte. Megjithatë, sipas të vëllait, ata ishin të shqetësuar se mund të kishte përfunduar në një rrugë të keqe.

Por si viktima, ashtu dhe gruaja nuk kanë precedentë penalë. Shqiptarja kishte shkuar në Itali në vitin 2002 dhe sipas të dhënave nuk rezultonte e ndaluar në asnjë kontroll antiprostitucion. Për momentin mbeten të hapura të gjitha hipotezat dhe prokurori Giancarlo Macusi nuk ka hapur ende dosjen.

Tilotta mund të ketë humbur kontrollin e mjetit dhe të ketë rënë në liqen për shkak të një problemi shëndetësor ose një aksidenti, pasi barrierat anës tij janë vendosur vetëm në vitin 2007, pasi në zonë kishin ndodhur shumë vetëvrasje. Ndërkaq i vëllai përjashton si mundësi vetëvrasjen. Por viktima mund të jetë hedhur në liqen, pasi është lidhur apo droguar. Autopsia do të jetë ajo që do të përcaktojë nëse ka shenja dhune dhe nëse trupi ka qëndruar në fund të liqenit për 15 vjet.