Kosova

Inatet politike, në dëm të ekonomisë së Kosovës

Duket se inatet ndërmjet partive politike në Kosovë po pamundësojnë ratifikimin e marrëveshjeve financiare ndërkombëtare, thonë përfaqësues të bizneseve.

Mosratifikimi i këtyre marrëveshjeve po pamundëson zbutjen e problemeve ekonomike dhe sociale me të cilat po përballet vendi.

Në dy nga seancat e kaluara, të mbajtura më 11 qershor dhe më 23 qershor, Kuvendi i Kosovës nuk arriti të sigurojë numrin e mjaftueshëm të votave për, prej 2/3 të deputetëve të pranishëm, për ratifikimin e pesë marrëveshjeve ndërkombëtare.

Po ashtu, marrëveshjet ndërkombëtare financiare, të cilat nuk janë ratifikuar në këto dy seanca kanë të bëjnë me fuqizimin e sektorit financiar pas humbjeve që janë shkaktuar nga pandemia COVID -19, si dhe marrëveshje tjera për projekte që kanë të bëjnë me trajtimin e ujërave të zeza.

Në pritje për t’i dërguar në kuvend për ratifikim janë edhe disa marrëveshje tjera ndërkombëtare financiare, të cilat kanë të bëjnë me përballimin me situatën shëndetësore dhe ekonomike, të shkaktuar nga përhapja e sëmundjes COVID-19, që shkaktohet nga koronavirusi.

Këto marrëveshje ende nuk janë shqyrtuar për t’u vënë në rend dite në seancat parlamentare nga kryesia e kuvendit.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, këto marrëveshje kapin vlerën e rreth 300 milionë euro.

Kryetari i Odës së Afarizmit në Kosovë, Skënder Krasniqi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se nëse vazhdojnë inatet politike mes partive në opozitë dhe atyre në pushtet, ekonomia do të dëmtohet edhe më shumë.

Ai thotë se ekonomia e Kosovës po kalon në një fazë të vështire dhe nëse nuk do të arrihet të merren këto fonde që vijnë nga ratifikimi i këtyre marrëveshjeve, atëherë rimëkëmbja ekonomike do të jetë e pamundur.

“Ne po shohim një inati të madh mes subjekteve politike pas situatave të krijuara pas rrëzimit të qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti dhe krijimit të qeverisë së re të udhëhequr nga Avdullah Hoti. Por, partitë politike duhet të dinë se këto marrëveshje kanë të bëjnë për përkrahje me qytetarët dhe bizneset dhe duhet të ratifikohen. Nga mosratifikimi i këtyre marrëveshjeve po pësojnë qytetarët, të cilët votuan këto subjekte”, thotë Krasniqi. /Albinfo.ch.