Shqipëria

Integrimi në BE, Shqipëria ka përmbushur detyrimet teknike të procesit

Zëvendësministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Artemis Malo priti sot në një takim ambasadorin belg, jorezident, Bontemp. Në këtë takim zv/ministrja Malo bëri një pasqyrë gjithëpërfshirëse të reformave të ndërmarra nga vendi ynë në kuadër të procesit të integrimit në BE, duke u shprehur se Shqipëria ka përmbushur të gjitha detyrimet teknike të këtij procesi. 

Palët u dakordësuan se integrimi euroatlantik kërkon domosdoshmërisht forcimin e bashkëpunimit rajonal ndërmjet të gjithë vendeve të rajonit, shkruan atsh, përcjell albinfo.ch

Ndërkohë që në planin bilateral, përparësi të veçantë do të vazhdojë të ketë nxitja dhe promovimi i bashkëpunimit ekonomiko-tregtar dhe investimet belge në Shqipëri. Në kuadrin shumëpalësh palët u dakordësuan për bashkërendim të punës dhe intensifikim të bashkëpunimit, si në kuadër të mandatit të Belgjikës, si vend jopermanent në Këshillin e Sigurimit, ashtu dhe në kuadër të kryesisë së ardhshme shqiptare të OSBE-së.