Kosova

IPK reagon për shkrimet ndaj vrasjes në Bretkoc

Inspektorati Policor i Kosovës ka reaguar në lidhje me disa lajme për vrasjen në Bretkoc të Gjakovës.

“Inspektorati Policor i Kosovës ka publikuar dy komunikata për media në të cilat janë cekur veprimet që janë ndërmarrë nga punonjësit e IPK-së lidhur me lidhur me dyshimet për neglizhencë dhe moskryerje të detyrave nga zyrtarët policorë në lidhje me rastin “Vrasje e rëndë” i cili ka ndodhur në fshatin Brekoc – Gjakovë. Këto veprime janë ndërmarrë nga punonjësit e IPK-së fillimisht në bazë të detyrës zyrtare duke qenë në koordinim të plotë me prokurorinë kompetente të Gjakovës”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

IPK ka thënë se në asnjë moment nuk ka tentuar e as që tenton të shfajësojë policët e dyshuar në këtë rast apo në ndonjë rast tjetër siç ceket në titullin e këtij shkrimi.

”Për hir të së vërtetës njoftojmë opinionin publik se pikërisht falë angazhimeve dhe veprimeve hetimore të ndërmarra nga hetuesit e IPK-së, Inspektorati Policor ka hapur rast penal lidhur me këtë çështje me dyshimin se tre zyrtarë policorë të Stacionit Policor në Gjakovë kanë kryer e veprën penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”nga tre zyrtarë policorë të Stacionit Policor në Gjakovë”, thuhet tutje në reagim.

“Për shkak të efikasitetit të këtij hetimit, dhe pas konsultave me prokurorinë,  Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar Policisë së Kosovës edhe suspendimin e tre zyrtarëve policorë të Stacionit Policor të Gjakovës deri në përfundim të këtij hetimi penal”, thuhet tutje, shkruan Albinfo.ch.

Sipas IPK-së, bazuar në të lartcekurat, konsiderojmë se opinioni publik duhet të informohet drejt dhe korrekt lidhur me veprimet që i ka ndërmarrë IPK për të trajtuar këtë rast në mënyrë profesionale në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe në koordinim të plotë me Prokurorinë e Gjakovës.

“Pasi që veprimet hetimore në këtë rast janë akoma duke vazhduar IPK konsideron se shkrime të tilla të pa vërteta dëmtojnë procesin hetimor. IPK njofton edhe njëherë opinionin publik se në konsultim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë do ti vazhdojë hetimet dhe analizimin e çdo veprimi apo mos veprimi të zyrtarëve policorë nga DRP-Gjakovë deri në zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje në mënyrë profesionale bazuar në autorizimet ligjore të saj”,thuhet në fund të reagimitj.