Lajme

Ja çfarë thotë mjeku shqiptar që u vaksinua në Itali kundër COVID-19

Mjeku shqiptar Alban Beltoja, reanimator, anestezist në Lodi, Itali është një nga mjekët shqiptarë që ka marrë vaksinën e koronavirusit më 27 dhjetor në vendin fqinj. Në një lidhje për “News24”, Beltoja ka treguar eksperiencën e tij duke dhënë mesazhet për ata që duhet të vaksinohen.

Sipas tij, nuk ka pasur asnjë efekt anësor, përveç një dhimbjeje të lehtë.

“Mezi po e prisnim dhe duke qenë se është një nga mjetet më të fuqishme për të përmbyllur historinë e COVID-it. Përveç një dhimbjeje të lehtë tek krahu s’kam pasur asgjë. Kjo gjë më konfirmohet dhe nga kolegët e tjerë.

Unë bëra dozën e parë, isha ndër 50 të parët të përzgjedhur më 27 dhjetor me fillimin e vaksinimit. E bëra në spitalin e Codognës. Ishte një vend simbolik, një fillim simbolik i një shprese të re”, tha ai.

Beltoja tregoi se rekomandimi për dozën e dytë është të bëhet pas 3 javësh nga doza e parë. “I bie nga data 18 janar. Në spitalin e Lodit ka një aderim në vaksinim gati 100% dhe janë vaksinuar gati 100% e personelit.

Kalendari është i përcaktuar. Grupi i parë që do vaksinohet, operatorët sanitarë, mjekë, infermierë, plus punonjësit e azileve të pleqve dhe moshat e mëdha. Nga grupmoshat 70 vjeç e sipër e me radhë”, deklaroi mjeku shqiptar.

I pyetur se kur presupozohet që mund të përfundojë procesi i vaksinimit në Itali, ai tha se do duhet kohë për të arritur në një vaksinim që do jetë efikas në uljen drastike të koronavirusit.

“Duhet të kalojë 60% e popullsisë të vaksinuar. Kjo nuk do të thotë aspak se do arrihet në imunizimin e plotë, apo imunizimin e tufës sepse vaksina nuk përfshin popullatën nën 16 vjeç”, tha ai.

Sa i përket mekanizmit të vaksinës, ai tha se janë dy mekanizmat kryesorë që përdorin industritë farmaceutike, e para e Pfizer dhe Modernas-s duke përdorur një molekulë, molekula mesazhere.

“Kjo krijohet në laborator, mbahet në një solucion yndyrash, futet në qelizat e trupit, në qelizat e muskulit, aty kodon për të prodhuar me anë të ribozomeve për të prodhuar një proteinë Spike që përdor virusi për t’u futur në qelizë. Më pas për të prodhuar antikorpe për të krijuar memorie qelize”, tha ai.

Por a shkakton gjë tek gjenetika njerëzore kjo lloj vaksine dhe a është hera e parë që prodhohet një vaksinë e tillë?

“Pse u bë dhe u realizua në kohë të shpejtë kjo vaksinë. Sforcot e komitetit shkencor ishin shumë shumë të mëdha në këtë periudhë, u bashkuan në këtë periudhë dhe kjo tregon rëndësinë që ka shkenca. Përdorimi i ARN-së mesazhere nuk është gjë e re. Është përdorur dhe për vaksinat kundër tumoreve. Ishte një gjë që ekzistonte si teknologji.

Krijimi i një ARN-je mesazhere. Kjo u bë dhe u testua për coronavirusin dhe për fat dha efekte. Për ata që mendojnë se mund të ketë një efekt për gjenetikën është e pamundur. Ata që kanë një farë dijenie mbi ARN-në e dinë që ka shumë tipe, pro ARN-ja është një molekulë që mund të ekzistojë në citoplazmën e qelizave dhe shpërbëhet dhe nuk mund të integrohet në bërthamën e qelizave”, deklaroi mjeku shqiptar.

Sa i përket mutacioneve të COVID-19, Beltoja u shpreh se deri tani shkencëtarët thonë që vaksina mbron dhe nga mutacionet e coronavirusit. “Mutacionet mund të jenë në gjithë botën dhe në Shqipëri. Dhe me një qarkullim kaq të shpejtë, do ishte e çuditshme nëse nuk do ishin”, tha ai.

Po një që e ka kaluar COVID-19 a duhet ta bëjë vaksinën? Sipas mjekut Beltoja po.

“Duhet t’i besojmë më shumë shkencës, njerëzve të shkencës. Duhet ta bëjnë dhe ata që e kanë kaluar, jo menjëherë para atyre që e kanë kaluar. Antikorpet mund të mos jenë efikase. Antikorpet nga vaksinimi kanë efikasitet”, tha ai.

Për studimin mbi imunitetin e tufës në Tiranë, Beltoja tha se 50% e popullsisë e prekur nuk është e mjaftueshme.

“Në vetvete po të jetë e vërtetë është lajm i mirë. 50% nuk është aspak e mjaftueshme që të quhet imuniteti i tufës”, tha ai.