Kriza në Ukrainë

Kievi dëshiron të ‘bëjë histori’ në samitin e paqes, por Berna ka ‘objektiva modeste’

Ndërsa presidentja zvicerane, Viola Amherd, foli për objektiva modeste në samitin dyditor zviceran për paqen në Ukrainë, homologu i saj ukrainas, Volodymyr Zelensky, ishte më proaktiv, duke thënë se donte të bënte histori.

“Ne duam hapa konkretë”, por “ne nuk do të negociojmë paqen”, tha Amherd në konferencën për media që u zhvillua në Bürgenstock, teksa përsëriti se objektivi i parë ishte “një kuptim i përbashkët” i parimeve të një paqeje të ardhshme të bazuar në Kartën e OKB-së, raporton swissinfo.

Tutje, sipas saj, ofensiva ruse i kishte shkelur këto marrëveshje.

“Bota është më e fortë se presidenti rus, Vladimir Putin”, tha Zelensky, duke uruar për një “paqe të drejtë sa më shpejt të jetë e mundur”. Duke pretenduar një “sukses të përbashkët” me Zvicrën, me organizimin e një konference që mbledh rreth 100 delegacione, ai mendoi se samiti mund të “bënte histori”, transmeton albinfo.ch.

Deklarata përfundimtare e konferencës ishte ende duke u negociuar ashpër. Dhe kjo situatë do të vazhdojë “deri në minutën e fundit”, thanë burime pranë diskutimeve për agjencinë zvicerane të lajmeve Keystone-ATS. Disa skenarë janë të mundshëm, duke përfshirë një tekst që do të miratohej pa konsensus, por me mundësinë që secili pjesëmarrës të pajtohet ose ta refuzojë atë.

Sipas një burimi të mirinformuar ukrainas, Zvicra ka rënë dakord me disa kërkesa të bëra nga Zelensky dhe aleatët e tij. Termat “agresion rus” dhe “integritet territorial” i Ukrainës do të përfshihen në versionin më të fundit të draft-deklaratës përfundimtare, e cila do ta bënte atë të pranueshme për presidentin ukrainas.

Të premten, secila palë demonstroi vështirësinë e detyrës, e cila do të duhet të përballet me realitetin ushtarak në terren. G7 përsëriti mbështetjen e saj për Ukrainën. Përveç presidentit amerikan, Joe Biden, i cili do të përfaqësohet nga zëvendëspresidentja Kamala Harris, në Zvicër kanë udhëtuar të gjithë krerët e shteteve dhe qeverive nga ky bllok (G7).

Kërkesat e Putinit

Presidenti rus, Vladimir Putin, vendi i të cilit nuk ishte i ftuar në Bürgenstock, përsëriti kushtet e tij të paqes. Ai po kërkon që Kievi të heqë dorë nga anëtarësimi i tij në aleancën e mbrojtjes në NATO dhe katër rajonet e aneksuara nga Moska në lindje të vendit.

Këto kërkesa janë të papranueshme për Ukrainën dhe kancelarin gjerman, Olaf Scholz, por ato nuk do të diskutohen në samitin e kësaj fundjave. Në një përpjekje për të ecur drejt besimit më të madh, Zvicra ka identifikuar pikat e përbashkëta për planet e paqes ukrainase, kineze dhe afrikane.

Këto variojnë nga siguria bërthamore dhe të burgosurit e luftës deri te siguria e ushqimit dhe liria e lundrimit. Të gjitha këto janë çështje, për të cilat dy vendet ndërluftuese mund të përfitojnë përfundimisht nga marrëveshjet.

Amherd shtoi se aranzhimet e sigurisë “janë mirë” në Bürgenstock. Deri në 4,000 ushtarë janë në dispozicion për të mbështetur forcat e policisë federale dhe kantonale. Ditët e fundit janë kryer disa sulme kibernetike kundër faqeve të internetit të qeverisë zvicerane.