Kosova

Kompania nga diaspora në Zvicër dhe Gjermani, “Orllati”, do të ndërtojë parkun solar në Kosovë

Me çmim 48.88 euro për MWh, konzorciumi “Orllati” me kompani nga diaspora jonë në Zvicër, Gjermania dhe Kosova është shpallur fituesi i ankandit të parë solar në Republikën e Kosovës, në një proces konkurrues e transparent, me një çmim të favorshëm për ndërtimin e centralit solar prej 100 megavatësh, në Kramovikë të komunës së Rahovecit.

Në ngjarjen e organizuar nga Ministria e Ekonomisë, me mbështetjen e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), i pranishëm ishte edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti,  i cili fjalën e tij para të pranishmëve e nisi duke përmendur pesë kompanitë konkurruese nga Franca, Turqia, Egjipti dhe Zvicra e Kosova, të gjitha lidere të sektorit, që siç tha ai, asnjëra aty nuk ishte rastësisht.

Ky proces që ka filluar në vitin 2022 sot u përmbyll me sukses, tha kryeministri Kurti. Ai vlerësoi se rezultatet e kësaj pune tashmë po i gëzojmë jo vetëm me përmbylljen e ankandit tonë të parë, por me përforcimin e statusit të vendit tonë, si destinacion i preferuar për investime në energji, falë politikave stabile e ambientit të sigurt për të bërë biznes.

“Kapacitetet e energjisë elektrike përkojnë me zhvillimin ekonomik të një shteti. Çdo megavat i ri i instaluar paraqet një potencial më të madh të prodhimit e të rritjes ekonomike, si dhe të përmirësimit të mirëqenies sociale”, u shpreh kryeministri.

Ai theksoi se si Qeveri synojmë e punojmë të krijojmë një sektor energjetik që është i sigurt, që e vendos qytetarin e Republikës në qendër, e që ec në hap me zhvillimet botërore dhe se ankandi solar 100 megavatësh është pikërisht pasqyrim i këtyre synimeve.

Me shtimin e 100 megavatëve të rinj në prodhimin e energjisë, kryeministri Kurti veçoi se me to ulim varësinë nga importi i  shtrenjtë i energjisë elektrike, ku për t’i realizuar kapacitetet, kompania fituese do të investojë mbi 70 milionë euro.

Ndërkaq, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se Ankandi Diellor prej 100 megavatëve, të cilin e përmbyllin sot, është i pari proces i tillë konkurrues që vendos një gurthemel të sektorit të ri të energjisë në Kosovë.

“Qëllimi ynë ishte që të kemi një projekt të madh, ashtu që të sigurohemi se ekonomia e shkallës do të garantonte një çmim sa më të volitshëm të energjisë për qytetarë tanë”, theksoi ministrja, duke shtuar se është insistuar që ankandi të bëhet në tokë publike, në lokacion specifik të paracaktuar, ashtu që secilit t’i jepet mundësia e barabartë.