Kosova

Konjufca për Edi Shukriun: Shembulli i gjallë i gruas së angazhuar

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e akademikes Edi Shukriu.

Në një postim në Facebook, Konjufca ka shkruar se ajo ka lënë gjurmë të pashlyeshme në shumë fusha dhe ka qenë shembulli i gjallë i gruas së angazhuar në proceset kryesore.

Sipas tij, trashëgimia e saj duhet të studiohet e të kujtohet.

“Me pikëllim të thellë e mora lajmin për vdekjen e intelektuales, arkeologes sonë të shquar, shkrimtares dhe ish-deputetes, Edi Shukriu.

Ajo la gjurmë të pashlyeshme në fushën e shkencës, letërsisë, historisë, arkeologjisë, kulturës dhe mendimit politik.

Edi Shukriu dha kontribut të pazëvendësueshëm në pavarësinë dhe zhvillimin e shtetit të Kosovës. Akademikja Shukriu njëkohësisht ishte shembulli i gjallë i gruas së angazhuar e aktiviste me pjesëmarrjen e saj në proceset kyçe nëpër të cilat kaloi populli dhe shoqëria jonë.

Trashëgimia që e la pas mbetet për t’u studiuar e kujtuar.

Ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjen e saj, bashkëpunëtorët, për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe mbarë kombin shqiptar”.