Lajme

50 vjet bashkëpunim diplomatik midis Zvicrës dhe Shqipërisë

Korriku shënon 50 vjetorin e vendimit për marrëdhënieve zyrtare diplomatike midis Zvicrës dhe Shqipërisë.

Korriku i 1970-ës ishte koha kur u vendosën marrëdhëniet zyrtare diplomatike midis Zvicrës dhe Shqipërisë, shkruan albinfo.ch.

Thuhet se do të ketë shumë aktivitete përkujtimore mbi këtë gjatë muajve në vazhdim.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, është shprehur i gëzuar për bashkëpunimin e 50 vjetëve mes Shqipërisë dhe Zvicrës, duke cilësuar si marrëdhënje të mrekullueshme mes këtyre dy shteteve, shkruan albinfo.ch.

“Me rastin e 50-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Republikës së Shqipërisë dhe Konfederatës Zvicerane, në emrin tim dhe atë të popullit shqiptar jam i lumtur që kam mundësinë të ndaj kënaqësinë e festimit të këtij momenti të mrekullueshëm me Shkëlqesinë Tuaj dhe popullin zviceran”, ka shkruar Meta. Ne gëzohemi sot për lidhjet miqësore të shumëfishta dhe të vërteta, që Shqipëria dhe Zvicra kanë zhvilluar ndër vite. Ne jemi mirënjohës që vendi Juaj ka mbështetur vazhdimisht Shqipërinë drejt konsolidimit të institucioneve shqiptare dhe qeverisjes demokratike; zhvillimet e bëra në sektorë të tillë, si ekonomia, infrastruktura dhe energjia, si dhe sistemi i kujdesit shëndetësor”, ka shkruar Meta.

Po ashtu, presidenti i Shqipërisë ka shkruar se Shqipëria dhe Zvicra kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë zhvillime pozitive shumëdimensionale dhe si Zvicra mbetet investitori i parë në vend.

“Duke folur për këto zhvillime shumë pozitive, unë jam shumë mirënjohës që Zvicra, si një nga investitorët e parë në Shqipëri, vazhdon të jetë një kontribuese e shkëlqyer për përparimin e vendit. Shfrytëzoj këtë rast për t’Ju falënderuar për ndihmën e menjëhershme dhe të jashtëzakonshme që Zvicra i ofroi Shqipërisë për t’u përballur me pasojat e tërmetit ë 26 nëntorit 2019, gjithashtu edhe për angazhimin e saj konkret në Konferencën Ndërkombëtare të Donatorëve. Gjithashtu, më lejoni të shpreh mirënjohjen time edhe për ndihmën që Zvicra i dha Shqipërisë në përballimin e pandemisë COVID-19, është shprehur presidenti i Shqipërisë.

Ai po ashtu falënderon edhe diasporën shqiptare në Zvicër dhe përkrahjen e vazhdushme që i ka dhënë shtetit të Shqipërisë.

“Unë e vlerësoj shumë rolin e komunitetit shqiptar në Zvicër. Falë përkrahjes dhe mundësive që ka krijuar Zvicra, ky komunitet është i integruar më së miri dhe ka kontribuar vazhdimisht në forcimin e marrëdhënieve tona, duke shërbyer kështu si një urë lidhëse për miqësinë afatgjatë dhe të fortë midis kombeve tona. Jam shpresëplot për këtë Jubile të Artë që lidhjet dhe bashkëpunimi ynë i përhershëm i miqësisë do të lulëzojnë dhe rriten më tej në dobi të dy vendeve dhe popujve tanë. Duke shprehur edhe një herë urimet e mia më të përzemërta për 50-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike midis Republikës së Shqipërisë dhe Konfederatës Zvicerane, Ju lutemi, Shkëlqesia Juaj, pranoni vlerësimit tim më të lartë”, tha ai. /Albinfo.ch