Kosova

Kosova dhe Belgjika nënshkruajnë marrëveshje për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet penale

Marrëveshja synon rritjen e efikasitetit në luftimin e krimit transnacional dhe krijon bazë ligjore për grupe të përbashkëta hetimore.

Ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Donika Gërvalla, gjatë një vizite zyrtare në Mbretërinë e Belgjikës, ka nënshkruar marrëveshje për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet penale me homologen e saj belge, ministren Annelies Verlinden, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit zyrtar, Gërvalla ka deklaruar se kjo marrëveshje mes dy vendeve mike pritet të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e efikasitetit në luftimin e krimit transnacional.

“Marrëveshja krijon bazën ligjore për themelimin e grupeve të përbashkëta hetimore dhe përfshin dispozita të avancuara për ngrirjen, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë, shkëmbimin e provave dhe informatave, si dhe marrjen e dëshmive përmes videokonferencës, në përputhje me praktikat më moderne ndërkombëtare”, ka theksuar ajo.

Ministrja ka bërë të ditur se përmes kësaj marrëveshjeje do të përcaktohen qartë format dhe mekanizmat e ndihmës juridike në çështjet penale, përfshirë kushtet e ofrimit të ndihmës, bazat për refuzim, legjislacionin e zbatueshëm dhe procedurat që ndiqen gjatë kërkesave për bashkëpunim.

Në fund, Gërvalla ka falënderuar ministren belge Verlinden për mikpritjen dhe bisedën konstruktive, duke vlerësuar angazhimin e përbashkët për thellimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Belgjikës./Albinfo.ch