Kosova

Kosova po plaket, mosha mesatare e popullsisë pritet të arrijë 49 vjeç deri në vitin 2060

Mosha mesatare e popullsisë në Kosovë pritet të rritet në 49 vjeç deri në vitin 2060, sipas raportit të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) mbi projeksionet e popullsisë, transmeton albinfo.ch.

Sipas të dhënave të ASK-së, Kosova aktualisht ka 1,602,515 banorë. Mosha mesatare e popullsisë ka shënuar rritje të vazhdueshme, nga rreth 30 vjeç në regjistrimin e vitit 2011, në rreth 35 vjeç në regjistrimin e vitit 2024.

Raporti tregon gjithashtu se Prishtina mbetet komuna me shkallën më të lartë të urbanizimit, ndërsa Dragashi renditet si komuna me popullsinë më rurale në vend.

Regjistrimi i popullsisë është zhvilluar edhe në katër komunat veriore – Mitrovicën e Veriut, Zubin Potokun, Leposaviqin dhe Zveçanin – megjithatë pjesëmarrja e banorëve ka qenë e ulët. Ndonëse ASK vlerëson se në këto komuna jetojnë rreth 15 mijë banorë, vetëm 6,708 persona morën pjesë në regjistrim.

Për herë të parë, regjistrimi i vitit 2024 përfshiu edhe një vlerësim të dëmeve të shkaktuara nga lufta e viteve 1998–1999. Sipas ASK-së, dëmet materiale të luftës llogariten në mbi 5 miliardë euro.

Po ashtu, raporti evidenton se gjatë luftës janë vrarë 11,417 persona, 1,047 rezultojnë ende të zhdukur, 6,682 janë plagosur dhe 3,312 persona kanë qenë të burgosur./Albinfo.ch