Kosova

Kosova prezantohet në Berlin me moton “Digital Kosovo”

Me moton ”Digital Kosovo”, Kosova po prezantohet në Simpoziumin e 53-të të Asociacionit për Menaxhimin e Zinxhirit të Furnizimit, Prokurimit dhe Logjistikës në Berlin të Gjermanisë me disa kompani.

Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, së bashku me GIZ-in gjerman njoftojnë se kanë financuar pjesëmarrjen në këtë simpozium 5 firma anëtare të Shoqatës për Teknologji të Informacionit dhe Komunikimit në Kosovë 5 Start-Upe të Qendrës së Inovacionit të Kosovës, 5 firma anëtare të Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, si dhe 6 përfaqësues institucionalë.

Në njoftim theksohet se qëllimi i delegacionit kosovar në këtë ngjarje është në rend të parë ndërkombëtarizimi dhe promovimi i ekonomisë kosovare si dhe informimi i firmave anëtare të BME me potencialin ekonomik që ka Kosova, në veçanti në sektorin e TIK-ut.

Simpoziumi treditor i BME-së për blerje dhe logjistikë që ka nisur të mbahet nga sot deri më 16.11.2018 në Berlin,  është një ndër ngjarjet më të mëdha të blerësve dhe profesionistëve të menaxhimit të zinxhirit të furnizimit në Evropë.