Kosova

Kosova pritet të hapë ambasada edhe në katër shtete

Brenda këtij viti Kosova do të bëhet me ambasada të reja në katër shtete. Sipas një njoftimi nga Ministrisa e Punëve të Jashtme e Kosovës, gjatë 2019-s do të hapen ambasadat në Mbretërinë e Tajlandës, në Republikën Popullore të Bangaldeshit, në Republikën e Kolumbisë dhe Republikën e Ganës.

“Në vitin e njëmbëdhjetë të ekzistencës së saj si shtet i pavarur, sovran dhe i mirë integruar në komunitetin ndërkombëtar të shteteve, Republika e Kosovës do të vazhdojë të shtrijë dhe të përforcojë rrjetin e saj diplomatik në disa kontinente”, thuhet në njoftimin e MPJ-së, përcjell albinfo.ch.

Sipas këtij njoftimi, nëpërmjet këtyre misioneve të reja diplomatike, MPJ-ja synon të mbulojë edhe disa shtete të tjera nëpërmjet akreditimeve jorezidente, me qëllimin e zgjerimit të bashkëpunimit dhe vendosjes së partneriteteve sipas interesave të përbashkëta.

“Ministria e Punëve të Jashtme tashmë ka ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet për procedurat respektive, që ndërlidhen me hapjen dhe funksionalizimin e plotë të këtyre ambasadave”, thuhet në njoftim.