Kosova
Kosova shënon përparim në luftën kundër korrupsionit
Raportohet se Kosova ka shënuar përparim të lehtë në luftën kundër korrupsionit, duke u renditur e 39-ta në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2021, të përpiluar nga organizata ndërkombëtare Transparency International.
Një vit më parë Kosova kishte 36 pikë. Indeksi radhit çdo vit 180 shtete dhe territore të botës në bazë të nivelit të perceptuar të korrupsionit në sektorin publik. Ai përdor një metodologji pikësh, sipas së cilës zero tregon për një vend shumë të korruptuar, ndërsa 100 për një vend të pastër nga kjo dukuri.
Nga vendet e rajonit, përparim ka shënuar edhe Maqedonia e Veriut, e cila ka 39 pikë, katër më shumë sesa vitin e kaluar.
Shqipëria ka 35 pikë – një më pak sesa një vit më parë.
Bosnjë e Hercevogina ka po ashtu 35 pikë, por nuk ka ndërruar pozitë.
Serbia nuk ka ndërruar pozitë po ashtu me vitin e kaluar. Ka sërish 38 pikë.
Mali i Zi qëndron më së miri në rajon sa i përket luftës kundër korrupsionit, me 46 pikë, një më shumë se sa vitin e kaluar.
Megjithatë, Indeksi për vitin 2021 flet për një bllokadë në luftën kundër korrupsionit në gjithë botën, pasi 86 për qind e shteteve kanë bërë pak apo aspak përparim në 10 vjetët e fundit.
Sipas Organizatës Transperency International, vendet që shkelin liritë civile shënojnë vazhdimisht rezultate më të ulëta në Indeks.
Me shkeljen e këtyre të drejtave, bie edhe niveli i demokracisë për t’ia lëshuar rrugën autoritarizmit, çka sipas raportit, kontribuon në nivele më të larta të korrupsionit.
Delia Ferreira Rubio, udhëheqëse e bordit të drejtorëve në organizatën Transparency International, ka thënë se të drejtat e njeriut nuk janë vetëm të dëshirueshme në luftën kundër korrupsionit.
“Garantimi i fjalës së lirë dhe punës kolektive për të kërkuar llogaridhënie ndaj pushtetit është mënyra e vetme e qëndrueshme drejt një shoqërie pa korrupsion”.
Në krye të listës më të pastra ndaj korrupsionit janë Danimarka, Finlanda dhe Zelanda e Re.
Somalia, Siria dhe Sudani Jugor janë në fund të listës.
Serbia, në mesin e vendeve me rezultatin më të ulët ndonjëherë
Në Indeksin për vitin 2021, të publikuar më 25 janar, përmendet se 154 shtete kanë shënuar kthim mbrapa apo aspak përparim.
Prej vitit 2012, 23 shtete kanë shënuar rënie në luftën kundër korrupsionit, përfshirë edhe ekonomitë më të zhvilluara si Australia, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara.
Në mesin e vendeve që kanë shënuar përparim në nivel botëror janë Estonia dhe Armenia.
Transparency International u ka bërë thirrje qeverive që të jenë më të përkushtuara në synimet kundër korrupsionit dhe respektimit të të drejtave të njeriut, si dhe u ka kërkuar njerëzve në gjithë botën që të kërkojnë ndryshime.
Dy vjet me pandeminë shkatërruese të koronavirusit, raporti i ri për korrupsionin në botë tregon se ka ngecur lufta kundër tij.
Pavarësisht përkushtimeve në letër, 131 shtete kanë bërë pak apo aspak përparim në luftën kundër korrupsionit në dekadën e fundit dhe këtë vit 27 shtete kanë shënuar nivelet më të ulëta prej kur ka nisur të përpilohet raporti.
Serbia është në mesin e këtyre vendeve, bashkë me Qipron, Hungarinë, Izraelin, Turqinë, Venezuelën dhe vende të tjera.
Në raport është thënë se Evropa Perëndimore dhe Bashkimi Evropian janë në krye në listës sa i përket luftës kundër korrupsionit, mirëpo përparimi është zbehur edhe në këtë rajon vjetëve të fundit.
Sipas raportit, pandemia e koronavirusit ka kërcënuar transparencën dhe llogaridhënien, duke shfaqur shenja të rrëshqitjes edhe në vendet me performancën më të mirë.
E-Diaspora
-
Promovohet në Cyrih platforma “Putpuri”, nga Prishtina Të premten, më 5 prill, platforma botuese e pavarur dhe nisma bashkëpunuese ndërmjet Prishtinës dhe Cyrihut,...
-
Më 7 prill, edicioni i tretë i panairit të librit shqip në SHBA
-
‘Vallja kosovare’ jehon në Universitetin e Gjenevës (Video)
-
Iu gjet drogë në shtëpi, arrestohet shqiptari në këtë shtet
-
Pesë Asamblistë të Cyrihut kërkojnë nga komuna t`i dhurojë Prishtinës kamionë për mbledhje e mbeturinave
Jeta në Zvicër
-
Trafiku i dendur edhe sot, bllokohen autostradat zvicerane Ngarkesat në komunikacion vazhdojnë edhe të premten në Zvicër gjatë festave të Pashkëve, përcjell albinfo.ch. Bllokimi...
-
‘Vallja kosovare’ jehon në Universitetin e Gjenevës (Video)
-
Iniciativat zvicerane synojnë t’i japin fund diskriminimit të çifteve të martuara
-
Ortekët kanë mbytur 14 persona në Zvicër këtë dimër
-
Drejtori i Përgjithshëm i UBS-së, Sergio Ermotti, fitoi 14.4 milionë franga vitin e kaluar