Kosova

Kosovë: Certifikatat elektronike të vaksinimit, të gatshme

Ministria e Shëndetësisë së Kosovës ka njoftuar të gjithë qytetarët që janë vaksinuar kundër COVID-19 se mund të shkarkojnë certifikatën elektronike të vaksinimit nga platforma online eKosova.

Për ta shkarkuar certifikatën elektronike, qytetarët duhet të ndjekin procedurën pothuaj të ngjashme sikurse të caktimit të orarit për vaksinë në platformën eKosova.

Me këtë rast, ata, pas hyrjes në llogarinë e tyre në eKosova, klikojnë te rubrika “Pasaporta elektronike e Vaksinimit” ose përmes skanimit të QR kod-it dhe ju shfaqet opsioni “Shkarko”, përmes të cilit shkarkojnë certifikatën, transmeton Albinfo.ch.

Po ashtu, ministria u bën thirrje qytetarëve që të mos bëjnë shpenzime duke marrë kartela digjitale të operatorëve dhe individëve të ndryshëm të paautorizuar, sepse të njëjtat, sipas tyre, nuk janë kartela të vlefshme dhe, për më tepër, rrezikojnë të keqpërdorin edhe të dhënat personale të qytetarëve.