Kosova
Kosovë, ditë zie për viktimat e aksidentit në Kroaci
Kosova sot është në ditë zie për viktimat që pësuan të dielën në një aksident rrugor në Kroaci, transmeton albinfo.ch.
Thuhet se dhjetë vetë me prejardhje nga Kosova humbën jetën dhe mbi dyzet u plagosën kur autobusi me të cilin udhëtonin doli nga rruga në qytetin kroat, Sllavonski Brod.
Vlen të theksohet se autobusi me 67 pasagjerë, përfshirë fëmijë, ishte nisur nga Frankfurti për në Prishtinë.
Në mesin e viktimave është njëri shofer, ndërsa dy nga pasagjerët e plagosur janë të shtrirë në njësi të kujdesit intensiv në Sllavonski Brod.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shpalli të hënën ditë zie në nderim të viktimave, ndërsa ndërpreu vizitën në Japoni për shkak të aksidentit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vizitoi të dielën mbrëma të plagosurit në Sllavonski Brod.
“Kjo fatkeqësi, kjo tragjedi është tejet e rëndë për ne”, tha Kurti.
Të gjithë të mbijetuarit e aksidentit ndodhen ende në Kroaci. Mësohet se autoritetet e Kosovës dhe ato të Kroacisë po punojnë për organizimin e sjelljes në Kosovë të udhëtarëve të palënduar dhe të atyre me lëndime të lehta.
Ministri kroat i Shëndetësisë, Vili Berosh, tha se disa të lënduar lehtë do të lirohen gjatë ditës së sotme nga spitali.
“Të gjithë të përfshirëve në këtë ngjarje tragjike do t’iu ofrohet ndihmë psikologjike”, tha ai.
Autoritetet thanë se shoferi që po voziste autobusin u ndalua nga policia.
“Ai [shoferi] tha se e mori gjumi për një moment”, tha zëvendësprokurori lokal, Sllavko Pranjiq.
“Kam parë të plagosur, kam parë të vdekur, kam parë gjithçka”, tha Ramo Gashi, njëri nga pasagjerët, për televizionin kroat HRT.
Kryeministri i Kroacisë, Andrej Pllenkoviq, tha se është “i trishtuar” dhe “i pikëlluar” nga ngjarja, ndërsa u shprehu ngushëllime familjarëve të viktimave dhe popullit të Kosovës.
Presidenti kroat, Zoran Millanoviq, gjithashtu shprehu ngushëllime dhe uroi shërim të shpejtë për të plagosurit.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë publikoi numrin e telefonit: +383 (0) 38 200 76 000, si kontakt për të gjithë ata që kanë nevojë për informata rreth situatës apo gjendjes së familjarëve në Kroaci.
Dhjetëra qytetarë ndezën qirinj të dielën mbrëma para Teatrit Kombëtar në Prishtinë, në nderim të viktimave të aksidentit.
E-Diaspora
-
Nju-Jork: Baleti Kombëtar i Kosovës me dy shfaqje Bëhet e ditur se Baleti Kombëtar i Kosovës, do të realizojë edhe një paraqitje tjetër të...
-
Belgjikë: Kori “Siparantum” do të dhuroj paraqitje dinjitoze
-
Çikago: Pianistja Anila Aliu, me koncert recital
-
Sopranoja Elbenita Kajtazi ndan bursa vjetore për studentët shqiptarë të muzikës
-
BQK: Mbi 112 milionë euro i sollën mërgimtarët në Kosovë vetëm gjatë marsit
Jeta në Zvicër
-
Komiteti parlamentar zviceran kërkon 15 milionë CHF për Kampionatin Evropian të Futbollit për Femra 2025 Një komitet i Dhomës së Përfaqësuesve të Zvicrës ka votuar në favor të një propozimi për...
-
Presidenti i SNB-së paralajmëron për goditje të mundshme inflacioni në Zvicër
-
Gjashtë gjëra që duhet të dini për pagat në Zvicër
-
SNB, 58.8 miliardë fitim neto në tremujorin e parë
-
Konsumatorët zviceranë kanë më shumë para, por më pak fuqi blerëse