Kosova

Krerët e shtetit të Kosovës kujtojnë Betejën e Koshares

Në një seancë solemne të enjten, krerët e shtetit të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, e kanë vlerësuar Betejën e Koshares si “historike” për luftën dhe çlirimin e vendit nga Serbia, përcjell albinfo.ch.

Me një minutë heshtje, deputetët e Kuvendit të Kosovës e shënuan 25-vjetorin e Betejës së Koshares, që u zhvillua mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ushtrisë serbe, në perëndim të vendit, gjatë luftës së viteve 1998/1999.

Presidentja Osmani tha se Beteja e Koshares, e cila u zhvillua gjatë muajve prill-qershor 1999, është “operacioni më i madh ushtarak i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

“Sikurse edhe në shumë kapituj të historisë tonë të luftës, guximi, sakrifica dhe vendosmëria përmblidhen edhe në Betejën e Koshares”, tha Osmani.

Kryeministri Kurti tha se Beteja e Koshares pasqyron tërë luftën e Kosovës “si në një format miniature, aty e shohim se në luftimet e Betejës së Koshares janë të përfshirë luftëtarë dhe njësite nga të gjitha zonat operative të UÇK-së si dhe nga të gjitha trevat e banuara me shqiptarë”, tha Kurti.

Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Kosovës, tha se kjo betejë shënoi mobilizim mbarëkombëtar në luftën për çlirimin e Kosovës nga okupimi serb.

“Kjo betejë shënon një përbashkim të lartë kombëtar, një gjithëpërfshirje të të gjitha trevave e luftëtarëve që merrnin pjesë nga të gjitha viset e kombit tonë, duke përfshirë edhe mërgatën, e bën këtë betejë një nga betejat më domethënëse në kuptimin e mobilizimit kombëtar shqiptar për çlirimin e Kosovës, sepse në Koshare luftoi e gjithë shqiptaria”, tha Konjufca.

Luftimet në Betejën e Koshares u zhvilluan për 77 ditë me radhë, nga 9 prilli deri më 19 qershor 1999, në anën kufitare të Kosovës me Shqipërinë.

Gjatë atyre luftimeve u vranë 114 dhe u plagosën 423 luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.