Kosova

Kryeministri i Kosovës: Kushtëzimi i Serbisë është shndërruar në qëndrim të ndërmjetësit Lajçak

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit të sotëm të nivelit të lartë, në Bruksel, takim i zhvilluar në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, u shpreh se ka propozuar një udhërrëfyes të sekuencuar për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit të 27 shkurtit dhe të Aneksit të zbatimit të Ohrit të 18 marsit.

Sipas tij, presidenti i Serbisë nuk ka dhënë asnjë propozim dhe takimi nuk ka pasur një rezultat, teksa u shpreh se nuk ka mundur të ketë kompromis, meqenëse nuk mund të ketë kompromis midis propozimit me sekuencë dhe kushtëzimit të vjetër, shkruan albinfo.ch.

“Kur unë kërkova gjatë këtij takimi që ta shoh propozimin që ka dhënë Serbia, sepse m’u tha që ka një të tillë, ndërmjetësit nuk ishin në gjendje që ta sjellin. Dhe vetëm pas përfundimit të takimit m’u dha një dyfaqësh në anglisht dhe në serbisht në cirilicë, i cili paraqet një dokument të vjetër së paku gjashtë muaj, që do të thotë se nuk mund të jetë udhërrëfyes i sekuencuar si propozim i palës serbe, por që në fakt ishte dokument i kushtëzimit të Serbisë që njëherë duhet të zbatohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, pra ajo marrëveshja e para 10 vjetëve, e më pastaj eventualisht do të mund të kalojmë në zbatimin e kësaj Marrëveshjes Bazë”, ka thënë ai.

Ai deklaroi se në takim ka thënë se nuk jemi në prillin e vitit 2013.

“Mua m’u desh t’ju them se nuk jemi në prillin e vitit 2013, kur në dhomë ndodheshin Baronesha Ashton, këshilltari i saj Robert Cooper dhe kryeministrat e asaj kohe Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq. Nuk është marrëveshja e vitit 2013. Qartë, Neni 10 i Marrëveshjes Bazike thotë që duhet të zbatohen të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut në Bruksel, të cilët janë të obligueshme dhe valide, e janë 39 sosh gjithsej. Por, nuk mundet nga Neni 10, nga 39 marrëveshje të përzgjidhet vetëm një e tillë dhe të vendoset sikurse qerrja para kuajve, të bëhet edhe thelb, edhe parakusht. Pra, një kushtëzim të tillë unë nuk e kam pranuar”, u shpreh Kurti.

Në anën tjetër, ai tha se është për të ardhur keq që emisari evropian Lajçak, e ka pranuar një kushtëzim të tillë dhe kushtëzimin nga Serbia që e ka pranuar ndërmjetësi Lajçak, e ka bërë në cenim të funksionit të tij si lehtësues edhe ndërmjetësues, teksa tha se nuk mund ta pranonte një gjë të tillë duke cenuar Kosovën.

“Pra, edhe këtë dokumentin tjetër që është më i vjetër se gjashtë muaj që paraqet dokumentin e kushtëzimit të Serbisë, që njëherë asociacioni e pastaj shohim gjithashtu e kemi tani në dorë e nuk kemi qenë në dijeni se ka një dokument të tillë. Nuk mund të quhet propozim, sepse kur ta lexoni përmbajtjen do ta shihni që është kushtëzim, ndërkaq ne e kemi bërë një propozim dhe është për të ardhur keq se si pikërisht kur jam konstruktiv dhe bëj propozime shkaktohet një lloj nervoze në dhomë dhe vështirësohet dialogu”, ka thënë ai.

Unë edhe një herë ju falënderoj të gjithëve për durimin dhe shpreh edhe një herë gatishmërinë time të plotë që secili nen nga 11 sosh të Marrëveshjes Bazike, secilën fjali nga 6 sosh të preambulës dhe secilën pikë nga 12 sosh të Aneksit të zbatimit të Ohrit, jam i gatshëm dhe i interesuar që ta zbatojmë një orë e më parë, në plotni, pa asnjë kusht.