Lajme

Norvegji: Kryeministrja paraqet planin për lehtësimin e kufizimeve anti-Covid

Normat e infeksionit me Covid-19 dhe shtrimet në spital në Norvegji duhet të bien para se qeveria të fillojë të heqë kufizimet në ndërveprimin shoqëror, i tha kryeministrja Erna Solberg Parlamentit të mërkurën.

Solberg paraqiti një plan me katër hapa për lehtësimin e kufizimeve të Norvegjisë dhe tha se tre hapat e parë mund të përfundonin deri në fund të qershorit, nëse nuk shfaqen pengesa të reja.

Ajo nuk tha sa do të zgjasë faza e katërt, e cila do të përmbajë ende disa kufizime.

“Para se të hapemi, duhet të shohim nivele të ulëta dhe të qëndrueshme të infeksioneve. Është e rëndësishme që numri i shtrimeve në spital të ulet nga niveli i sotëm”, tha Solberg.

Vlerësimi më i mirë i qeverisë është se të gjithë të moshës 18 vjeç ose më shumë do t’u ofrohet pjesa e parë e vaksinës deri në fund të korrikut, tha Solberg.

Solberg fillimisht kishte planifikuar të paraqiste një plan për rihapjen e vendit para Pashkëve, por në vend të kësaj prezantoi masa më të ashpra kombëtare, të tilla si ndalimi i shërbimit publik të alkoolit dhe një karantinë e detyrueshme 10-ditore në një hotel të caktuar pas kthimit nga pushimet jashtë vendit.

Norvegjia ka pasur disa nga nivelet më të ulëta të infeksioneve dhe vdekjeve në Evropë që nga fillimi i pandemisë në fillim të vitit të kaluar, por ka filluar të shohë një rritje të shpejtë të shtrimeve në spital, të udhëhequr nga variante më ngjitëse të virusit, raporton The Guardian, transmeton Albinfo.ch.