Shqipëria

Kujdes kur kaloni në Shqipëri: Mashtrimi me policat e sigurimit

AMF këshillon qytetarët që udhëtojnë drejt Shqipërisë me automjetet e tyre me targa të huaja të presin policat kufitare vetëm në pika të autorizuara dhe nga agjentë të licencuar

Rritja e numrit të emigrantëve që vijnë gjatë verës në Shqipëri ka shtuar edhe rastet e mashtrimeve me policat e sigurimit.

Në lidhje me këtë, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare këshillon qytetarët që udhëtojnë drejt Shqipërisë me automjetet e tyre me targa të huaja të presin policat kufitare vetëm në pika të autorizuara dhe nga agjentë të licencuar, raportojnë mediat shqiptare.

AMF bën me dije se elementët e sigurisë që duhet të ketë Polica Kufitare janë:

Numri i serisë së policës është unik dhe duhet të fillojë me dy shifrat e fundit të vitit aktual. (Shembull: Viti 2018 = 18xxxxxxx).

Polica e sigurimit kufitar është e shkruar në format elektronik dhe në asnjë rast me shkrim dore.

Polica ka një numër unik të rastësishëm identifikues të policës së sigurimit në regjistrin elektronik online të shitjeve të sigurimit të detyrueshëm motorik me elementë sigurie të gjeneruar nga AMF.

Autoriteti ka nisur një inspektim të përbashkët me Policinë e Shtetit për të verifikuar policat kufitare për shtetasit që hyjnë në territorin e Shqipërisë me mjetet e tyre. Inspektimi do të shtrihet edhe në ditët në vazhdim.

Duke nisur nga data 1 nëntor 2017, raportimi dhe identifikimi i policave kufitare të shitura nga kompanitë e sigurimit bëhet në kohë reale nëpërmjet regjistrit elektronikonline të shitjeve, përcjell albinfo.ch.