Kosova

Kurti e quan Serbinë “agresive dhe nevrike”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, teksa e ka quajtur “agresive e nevrike” Serbinë, ka thënë se kjo e bën Kosovën më të kujdesshme e jo të frikësuar. Në një deklarim për media nga inaugurimi i Qendrës Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike, Kurti ka thënë se Kosova ka paralajmëruar kaherë për rrezikun për sigurinë nga shtetet jodemokratike në rajon, por siç ka shtuar “këtë gjë hollësisht dhe thellësisht sikurse Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk mund ta dijë askush”.

Ai ka folur edhe për investimet në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

“Pata nderin bashkë me komandantin e Sigurisë së Kosovës të shoh edhe këta 15 kamionë multifunskionalë të firmës gjermane që i kemi përfshirë tashmë në Forcën e Sigurisë së Kosovës. 10 prej tyre i kemi blerë me buxhetin e shtetit, 5 janë donacion. Pra, ky është partneritet që po bëjmë. Edhe marrim donacion edhe blejmë në mënyrë që integriteti territorial, sovraniteti e siguria e qytetarëve të jetë e pacenueshme. Ne e kemi pasur të qartë që fqinj jonë verior është agresiv, është nevrik, mirëpo kjo na bënë të kujdesshëm, assesi të frikësuar”, ka thënë Kurti.

Kurti ka deklaruar se përurimi i qendrës për siguri është pjesë e përgatitjes së Kosovës për shkak të rrezikut nga shtetet jodemokratike në rajon.

“Konfliktet nuk janë ndëretnike, nuk është dallimi etnik ai që shkakton konflikt, por është autokracia në Beograd e ndërlidhur me despotin në Moskë. Ne kemi paralajmëruar kaherë që shtetet jodemokratike edhe në rajonin tonë jo vetëm në lindje të Evropës janë në rrezik për sigurinë dhe paqen, por natyrisht që këtë gjë hollësisht dhe thellësisht sikurse SHBA-ja nuk mund ta dijë askush. Ajo çfarë bëjmë ne është që ne përgatitemi maksimalisht atë çka mundemi dhe dimë, andaj përuruam këtë Qendër Shtetërore për Siguri Kibernetike për trajnime të cilat do të merren dhe do të ofrohen aty”, ka thënë tutje ai.