Integrimi

Kush është PD Dr. Bardhyl Reçani?

Pas ecjeve të shumta, nga Gostivari, Shkupi, nëpër Bosnjë, Kroaci e Gjermani, rrugëtimi sfidues profesional i Dr. Bardhyl Reçanit kurorëzohet me Zvicrën, ku ai ka hapur së fundi një klinikë stomatologjike.

Bardhyl Reçani vjen nga Reçani, një fshat malor i Gostivarit, në Maqedonin Veriore. Tani ai është një kirurg Oral dhe Maxollifacijal shumë i kërkuar në Zvicër. Rininë e ka kaluar në Maqedoni, ku dhe ka diplomuar në stomatologji pastaj ka filluar në Gjemani dhe tani së fundi ka vendosur të emigrojë sërish. Por kësaj here më afër, në Zvicër.

Stomatologu nga Gostivari ka filluar Studimet në Sarajevë, Bosnjë, në vitin 1990, të ndërprera me shpërthimin e luftës atje. Ai kthehet në Maqedoni dhe në vitin 1997 diplomon në Universitetin e Shkupit. Ëndrra e tij ka qenë të vazhdojë me edukimin e tij Post – universitar në Gjermani, ku ai në vitin 2001 arrin të regjistrohet dhe të pranohet ne Klinikën Orale dhe Maxillofacijale të Universitetit “Ludwig-Maximilians” në Mynih. Më pas vazhdon studimet specialistike në Universitetin Teknik të Munihut në po të njëjtën klinikë në të cilën pas 4 viteve e kryen me sukses specializimin në këtë fushë. Ai me zëvendës drejtorin e kësaj klinike marrin drejtimin e Klinikës Orale dhe Maxillofacijale “Philips” në Universitetin e Marburgut. Dr. Reçani këtu ka pasur pozitë udhëheqëse dhe paralelisht vazhdon studimet e magjistraturës ne Universitetin e Kremsit në Austri. Ai kryen këto studime mbas tre viteve me sukses dhe merr titullin “Msc” Master në Implantologji. Por nuk ndalet këtu, vazhdon studimet e doktoraturës në Universitetin e Zagrebit dhe në vitin 2014 këtu kurorëzohet me titullin doktor i shkencave “PhD” gjithashtu në Implantologji.

Në Gjermani, përkundër vështirësive ia kishte dalë të bënte karrierë në fushën e stomatologjisë. Dr. Reçani ka kohë që është integruar  në Zvicër. Këtu tashmë ka kurorëzuar ëndrrën e kamotshme që të hapë klinikën e tij. Këtë e ka realizuar së fundi në Schlieren të Cyrihut, një projekt që kishte dështuar ta bënte në vendin e prejardhjes.

Albinfo.ch: Keni rrugëtuar në shumë shtete. Jeni rritur dhe shkolluar në Maqedoni, pastaj një kohë në Bosnjë e Kroaci, keni specializuar në  Gjermani e në Austri dhe, së fundi, jeni kthyer në Zvicër. Ku është shtëpia juaj?

Dr. Bardhyl Reçani: Njeriu mund të gjejë një vend kudo në planet për të jetuar dhe vepruar, porse shtëpia e përhershme quhet vendlindje. Mu për këtë, shtëpia ime e përjetshme do të ngelë vetëm vendlindja.

Albinfo.ch: A mund të themi se në Zvicër dhe në Gjermani janë të mundura arritjet në karrierë?

Dr. Bardhyl Reçani: Natyrisht se në këtë botë çdo gjë është e arritshme, pra nuk ka gjë që nuk mund të arrihet, por vetëm nëse ekziston vullnet për një gjë të tillë. Unë e kam filluar karrierën në Gjermani në fillim të viteve 2000, kur në vendin tonë zhvillohej luftë dhe trazira. Në atë kohë as bylbili nuk mund të kalonte në anën tjetër të kufirit, e lere më njeriu. Barriera e kufijve në atë kohë ishte shumë e madhe dhe në Gjermani nuk mund të arrije aq lehtë. Nga ana tjetër, ligjet e shtetit gjerman për të huajt që vinin nga shtetet e ashtuquajtura “shtete të treta” ishin tepër të vështira, nuk pranoheshin as diplomat, as pasaportat, d.m.th. duhej që t’ia filloje nga e para. Unë arrita të thyej këtë barrierë me vullnetin tim të madh dhe arrita të krijoj këtë karrierë.

Albinfo.ch: Keni provuar të ktheheni në Maqedoni, në vendin e prejardhjes, në Gostivar. Me gjithë investimin e madh, nuk ia dolët, u rikthyet përsëri, por tash në Zvicër, përse?

Dr. Bardhyl Reçani: Një fjalë popullore thotë: “Guri peshon më shumë në vendin e vet se sa në vend të huaj”. Ishte një dëshirë e familjes dhe imja të kthehem në vendlindje, të veproj dhe të punoj afër familjes, por duke mos e analizuar shumë këtë që e thashë. Investimi më shkoi huq dhe nuk ia arrita qëllimit për shkak se sistemi shëndetësor në Maqedoni nuk nxit dhe nuk përkrah biznese të reja, është i korruptuar dhe me shumë hendikepe. Prandaj mund të them: “Guri që arrin karrierë në perëndim nevojitet të ketë fundament të fortë”.

Albinfo.ch: Ju keni jetuar dhe punuar në Gjermani. Tani për disa vjet jeni në Zvicër, ku i shihni dallimet sa i përket stomatologjisë dhe në përgjithësi mjekësisë?

Dr. Bardhyl Reçani: E vërtetë është. Unë kam jetuar dhe punuar një kohë të gjatë në Gjermani dha atje e fitova karrierën time. Sa i përket stomatologjisë, por edhe mjekësisë nuk ka kurrfarë dallimi, porse desha të veçoja diçka. Në Gjermani një mjek mund të fitojë dituri dhe të mësojë shumëçka nëpër klinika, ndërsa në Zvicër nuk ke kohë të mësosh, sepse këtu vetëm punohet. Puna e njëjtë paguhet dy apo edhe trefish më shumë se sa në Gjermani, pasi që për Zvicrën kuadri mjekësor në përgjithësi është shumë deficitar dhe Zvicra ndan një buxhet të madh në këtë fushë. Pikërisht për këtë mund të them se 70% e kuadrove udhëheqëse mjekësore në Zvicër vijnë nga Gjermania.

PD Dr. Bardhyl Recani

Albinfo.ch: Për çfarë jeni krenar?

Dr. Bardhyl Reçani: Jam krenar që mbaj mbiemrin e fshatit të lindjes, REÇAN-i. Por, me këtë mendoj se edhe bashkëfshatarët e mi krenohen dhe mburren me mua.

Albinfo.ch: A mund ta ndani pasionin nga profesioni?

Dr.Bardhyl Reçani: Pasioni im i madh ishte që unë një ditë dëshiroja të bëja një klinikë të madhe stomatologjike, ku profesionin tim do të mund ta zbatoja në praktikë me kolegët e mi, siç dëshiroja unë dhe të mos lejoja që dikush të më injorojë.

Albinfo.ch: Mjekët shqiptarë tashmë janë organizuar edhe nëpërmjet asociacionit të tyre, a jeni pjesë e këtij organi?

Dr.Bardhyl Reçani: Për fat të keq jo, nuk jam.

Albinfo.ch: Çfarë mendimi keni lidhur me fluksin e madh të mjekëve shqiptarë drejt perëndimit?

Dr.Bardhyl Reçani: Jo vetëm mjekët, por shumica e akademikëve shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare mundohen që karrierën e tyre ta vazhdojnë në perëndim. Kjo vjen nga shkaku se në shtetet nga vijnë, sidomos mjekët, janë shumë pak të paguar, vendet e punës janë të kufizuara për shkak se çdo sektor është i partizuar dhe se buxhetet e shteteve për mjekësi janë shumë të ulëta, nuk investohet gati asgjë. Pikërisht për këtë e shoh të arsyeshëm fluksin e mjekëve shqiptarë drejt perëndimit.

Albinfo.ch: Cilat janë fokuset kryesore shkencore të Dr. Reçanit?  Keni bërë shumë hulumtime shkencore në kirurgji, në çka jeni të profilizuar?

PD Dr. Bardhyl Recani

Dr.Bardhyl Reçani: Unë që nga fillimi i karrierës sime në Gjermani u kyça në kirurgji. Pasi që e kreva specializimin në Degën e Kirurgjisë Orale dhe Maxillofaciale në Universitetin e Munihut, u përqendrova në Implantologji. Pata fatin që me mentorin tim, Prof. Dr. Dr. Andreas Neff, tash drejtor i Klinikës Orale dhe Maxillofacijale në Qytetin Universitar të Marburgut, të jem pjesë e stafit të tij dhe të jem në pozitën udhëheqëse, të quajtur “Oberarzt”. Udhëhiqja Repartin e Kirurgjisë Orale me Implantologji. Aty u fokusova në hulumtimin dhe rindërtimin e kockave, e cila në Implantologji është në shumicën e rasteve deficitar. Paralelisht ndiqja mësimet pasuniversitare në Universitetin e Kremsit në Austri dhe këtu magjistrova gjithashtu në Implantologji, ku tema kryesore ishte “Rindërtimi dhe Augmentimi i kockës së nofullave dhe Sinuslift-it tek pacientët me sëmundje malinje dhe Osteoporoz”. Pas kryerjes se magjistraturës, fillova studimet e doktoraturës në Universitetin e Zagrebit. Pas katër vjetësh studime dhe hulumtime shkencore, më 2014 mbrojta doktoraturën gjithashtu në Implantologji me titull “Mënyra e shtrëngimit të implanteve dhe Suprakonstruksioneve”, ku mora titullin Doktor Shkence “PhD” në Implantologji.

Kam botuar punimet e mia shkencore në shumë revista botërore, kam marrë pjesë në kongrese dhe simpoziume të ndryshme, si në Gjermani, Dubai, ashtu edhe në trojet shqiptare. Gjithashtu kam marrë pjesë në punime dhe hulumtime shkencore në Universitetin e Harvardit në Boston (USA). Shkenca për mua është e pandarë dhe për momentin jam si Docent Privat në Universitetin e Marburgut “Philips Universität Marburg”. Aty ende jam si ligjërues i çrregullt dhe ligjëroj në Degën e Implantologjisë.

Albinfo.ch: A jeni përballur me vështirësi si një mjek me origjinë të huaj dhe mos keni hasur ndonjëherë në trajtim inferior nga vendësit?

Dr.Bardhyl Reçani: Fillimi ishte shumë i vështirë. Gjuhën gjermane nuk e mbizotëroja aspak. Fillova të studioj që nga fillimi. Atë që e kisha mësuar në Bosnjë dhe në Maqedoni, ishte baras me zero. Duke filluar nga lejeqëndrimi në Gjermani, i cili ishte i kufizuar dhe kështu edhe në klinikën ku punoja si mjek-stomatolog më trajtonin si një argat të tyre dhe ndjehesha shum inferior. Gjatë gjithë kohës së specializimit jam vetëfinancuar dhe në disa raste kam qenë edhe i injoruar. Por, pas mbarimit të specializimit, çdo gjë ndryshoi.

Albinfo.ch: Keni qëndruar për disa vjet në qytete universitare me renome në Gjermani, në Munih dhe Marburg, Çfarë përvojash sollët nga atje?

Dr.Bardhyl Reçani: Lirisht mund të them se Munihu për mua është qyteti më i bukur në botë. Ofron një jetë shumë kualitative, sidomos kur bëhet fjalë për kulturën, muzikën, sportin dhe shkencën. Mynihu ka dy universitetet më të ranguara në botë, atë “Ludwig-Maximilian-Universität” dhe “Technische Universität”. Qyteti i Munihut ka shumë klinika universitare dhe private me renome botërore. Jam shumë krenar dhe mburrem që kam marrë dituri në këto dy universitete. Ndërsa në Marburg dijen time të fituar në Munih e kam zbatuar praktikisht në Klinikën Orale dhe Maxillofaciale të Universitetit të Marburgut.

PD Dr. Bardhyl Recani

Ligjërues i çregullt në Universitetin e Marburgut

Kam botuar punimet e mia shkencore në shumë revista botërore, kam marrë pjesë në kongrese dhe simpoziume të ndryshme, si në Gjermani, Dubai, ashtu edhe në trojet shqiptare. Gjithashtu kam marrë pjesë në punime dhe hulumtime shkencore në Universitetin e Harvardit në Boston (USA). Shkenca për mua është e pandarë dhe për momentin jam ende Docent në Universitetin e Marburgut “Philips Universität Marburg”. Aty jam si ligjërues i çrregullt dhe ligjëroj në Degën e Implantologjisë.

 

Trajtimi i  padrejtë shtyn mjekët të marrin rrugën e perëndimit

Jo vetëm mjekët, por shumica e akademikëve shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare mundohen që karrierën e tyre ta vazhdojnë në perëndim. Kjo vjen nga shkaku se në shtetet nga vijnë, sidomos mjekët, janë shumë pak të paguar, vendet e punës janë të kufizuara për shkak se çdo sektor është i partizuar dhe se buxhetet e shteteve për mjekësi janë shumë të ulëta, nuk investohet gati asgjë

Foto: Armend Berisha

 

 

 


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI