Intervista

Lindja e një shteti është si ajo e një fëmije

Intervistë me Ramadan Avdiun, Konsull i Përgjithshëm i Kosovës në Gjenevë dhe aktivist i vjetër për pavarësinë e Kosovës

Me rastin e dhjetëvjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës, Ramadan Avdiu, më pranon në zyrat e tij në Gjenevë. Të sapovendosur, fillova bisedën: Kaluan dhjetë vjet prej kur kosovarët derdhnin lotët e tyre me emocion për shpalljen e pavarësisë, a mund të themi që sot kjo fitore ka mbetur nën hije nga kriza ekonomike e vendit? E po, u bënë tashmë dhjetë vjet, më thotë Konsulli i Përgjithshëm, para se t’i afrohet tekstit të Deklaratës së Pavarësisë, të varur në murin e zyrës së tij. Me krenari dhe emocion ai më tregon nënshkrimin e tij pranë 109 deputetëve të tjerë të asaj kohe. “Më kujtohet sikur të ishte dje. Është një datë historike për vendin, një datë në të cilën kam pasur nderin dhe privilegjin të marr pjesë. Kur dhashë nënshkrimin tim, pata njëkohësisht një mendim të trishtuar dhe të lumtur për të gjithë shokët, por edhe për gratë dhe burrat që kishin frymëzuar luftën tonë, për të gjithë ata që nuk ishin më me ne. Më kujtohet 17 shkurti, ishte një ditë e diel, ishte jashtëzakonisht ftohtë, por gjaku ynë gufonte sikur kurrë. Mbaj mend se menjëherë më pas pata dhënë një intervistë për ekipin e Radio televizionit zviceran, i cili kishte ardhur enkas për të mbledhur dëshmitë e para të diasporës shqiptare të kthyer në Kosovë. Ishte një moment i mrekullueshëm për të gjithë ne.

Për këtë intervistë pata planifikuar të diskutoj me Konsullin e Përgjithshëm mbi situatën aktuale në Kosovë. Duke e ditur se gjatë viteve të para të pavarësisë, ai kishte jetuar në Kosovë, unë doja ta pyesja atë se çfarë mendonte për këto dhjetë vjet trazirash në Parlamentin e Kosovës, dhjetë vjet ku i vetmi synim i politikanëve dukej se ishte të qëndrojnë në pushtet. Doja të dija pikëpamjen e tij në lidhje me parashikimet, të cilat janë gjithnjë e më alarmuese si dhe për të rinjtë kosovarë të zhgënjyer që nuk arrijnë të ndërtojnë një perspektivë për të ardhmen e tyre në vend. Mendimi i tij ishte me interes të veçantë për mua, meqë pas pesë vjet burg për aktivitete ilegale politike në Kosovë, Konsulli i Përgjithshëm kishte jetuar në Gjenevë si refugjat politik, dhe më pas ishte kthyer për të ndihmuar rindërtimin e vendlindjes.

Por, që nga fillimi i bisedës sonë, kuptova se në prag të këtij dhjetëvjetori, ne të gjithë e kemi ndërmend ditën e Deklaratës së Pavarësisë dhe, në mënyrë të pashmangshme, sikur edhe Konsulli, të gjithëve na kujtohet sa të bindur ishim që vendi më i ri në botë do të bëhej shpejt shtet i emancipuar ku do të mbretëronte solidariteti, drejtësia sociale, arsimi me nivel të lartë, shëndeti për të gjithë, strehimi i denjë, pension i denjë dhe rishpërndarja e pasurisë kombëtare. Dhjetë vjet kanë kaluar dhe ekziston një ndjenjë e përgjithshme se shumica e këtyre dispozitave në fakt janë shndërruar pothuajse në shpresa të shkyçura.

Po çfarë mendon Konsulli i përgjithshëm? Z. Avdiu nuk ndan pesimizmin e pyetjes sime, ai beson se lindja e një shteti është e krahasueshme me atë të një fëmije, pra kërkon kohë për t’u rritur dhe për të konsoliduar të ardhmen e tij. Ende na mungon përvoja, thekson ai, na mungojnë njohuritë, toleranca ndaj pluralizmit të mendimit, etj. Dhe, gjithashtu, shton ai, politikanët ende nuk e kanë kuptuar se konkurrenti politik nuk është armik, por vetëm një kundërshtar. E di që Kosova ka nevojë për kohë, prandaj prapëseprapë mbetem optimist.

Në këtë fazë të bisedës fitoj ndenjen se Kosova jep përshtypjen se është duke jetuar përgjithmonë në pritje të një ngjarjeje të përkohshme që më në fund do të mund ta kthejë situatën në favor të ëndrrave të të gjithë atyre që u sakrifikuan me përkushtim për liri dhe paqe. Pikërisht, zoti Avdiu i kujton ato ideale, të cilat edhe sot motivojnë veprimet e tij. Ai më tregon se ka tri vajza, të cilat pasqyrojnë shumë fatin e kosovareve: «E para ka lindur gjatë robërisë, e dyta gjatë ekzilit, ndërsa e treta lindi pas pavarësisë. E treta është ende shumë e vogël, ka akoma shumë gjëra për të mësuar, por jam i bindur se ditë të bukura e presin edhe atë».

 

Biografi

I lindur në vitin 1964, jeta e Ramadan Avdiu ilustron historinë e shumë grave dhe burrave të gjeneratës së tij. Shumë prej tyre kanë përjetuar burgosjen dhe mërgimin. Që nga viti 2013, Ramadan Avdiu ka mbajtur postin e Konsullit të Përgjithshëm dhe çdo vit, me ekipin e tij, merret me rreth 4.000 raste të diasporës kosovare të vendosur në Zvicrën frankofone (Neuchâtel, Fribourg, Valais dhe Gjenevë) si dhe në Francën fqinje. Kur shikon prapa, ai dëshiron të falënderojë ngrohtësisht gruan e tij, sepse pa mbështetjen e saj të pakufishme, asnjë luftë nuk do të kishte qenë e mundur.