Shqipëria

Makinat e vjedhura po përdoren për atentate në Shqipëri

Rasti më i fundit është atentati ndaj prokurorit Ndoj

Puna e dobët e policisë në hetimin e vjedhjeve po bëhet shkak që grupet kriminale të përdorin githmonë e më shumë makinat e vjedhura në atentate.

Eksperti i sigurisë, Ilir Gjoci, thotë se përdorimi i mjeteve të vjedhura në atentatet mafioze ka lidhje me punën parandaluese të policisë.

Gjoci: Policia duhet të bëjë ç’është e mundur për parandalimin e këtyre ngjarjeve. Pastaj, pasi ndodh krimi, duhet të bëjë çfarë është e mundur të zbulojë dhe të kapë autorët e t’i vendosë para drejtësisë.

Rasti më i fundit është atentati ndaj prokurorit Ndoj, ku automjeti dhe targat e përdorura nga autorët u vodhën në vende të ndryshme, konkretisht në Lushnjë dhe në Tiranë, për t’u përdorur më pas nga autorët.

Janë të paktën edhe 10 raste të ngjashme, ku autorët e ekzekutimeve që kanë tronditur opinionin publik kanë përdorur automjete të vjedhura, të cilat i kanë djegur më pas gjatë largimit nga vendi i ngjarjes.

Më konkretisht, sipas policisë automjete të vjedhura janë përdorur në vrasjen e Arben Bilalit, Santiago Malkos, avokatit Ravik Gurra, në ekzekutimin e Feriz Bardhit, por dhe disa raste të tjera vrasjesh mafioze.

Qytetet kryesore ku vidhen makinat janë Fushë-Kruja, Tirana, Durrësi dhe Vlora. Përveç automjeteve, autorët kanë vjedhur edhe targat që më pas i kanë mbivendosur për të humbur gjurmët, por edhe për të çorientuar policinë.

Sipas Gjocit, qytetarët duhet të bëjnë menjëherë denoncimin në polici për vjedhjen e automjetit, pasi në raste vonesash mund të implikohen në ngjarje kriminale ku përdoret makina e tyre.

Gjoci: Nëse ju vidhet automjeti, ose targat e automjetit, duhet menjëherë të paraqiten pranë stacioneve të policisë dhe bëjnë kallzimin përkatës, pasi mjeti i tyre që është vjedhur mund të përdoret për një krim, transport të lëndëve narkotike apo grabitje.