Maqedonia

Maqedoni: Nga nesër gjoba për shkelësit e masave, 250 euro për qytetarët, deri në 30.000 për pronarët

Nga e hëna të pavaksinuarit në Maqedoninë e Veriut nuk do të guxojnë të hyjnë në hapësira ku janë më shumë se 30 persona dhe se duhet të tregojnë certifikatën e tyre vaksinimit

Vendimi i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për respektimin e masave anti-Covid pritet të shoqërohet me masa të ashpra ndaj atyre që shkelin këto rregulla.

Mosrespektimin e masave të reja do ta sanksionojë Inspektorati Shtetëror i Tregut. Kjo ngjalli reagime në opinion kur bëhet fjalë për lartësinë e gjobave.

Drejtoresha Aneta Simeska-Dimoska shpjegon për Rtv 21 se për personat juridikë gjoba do të jetë nga 2.000 deri në 30.000 euro, kurse për personat fizikë do të kujdesen mbajtësin e rendit në objektet hotelierike. Personat fizikë do të gjobiten nga ana e Inspektoratit të Tregut vetëm me një kusht.

“Për momentin nuk kemi kompetencë t’i sanksionojmë personat që nuk posedojnë certifikatë. Në qoftë se vizitorët kanë manipuluar me hotelierët, gjegjësisht u kanë dhënë certifikata të rrejshme, atëherë kemi kompetencë t’i marrim masat adekuate të cilat do të procedohen më tutje”, deklaroi Simeska-Dimoska, përcjell Albinfo.ch.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, gjatë vizitës në Ohër, tregoi se përveç të vaksinuarve, personat që kanë kaluar Covid-19 do të lejohen të hyjnë në objektet e hotelierisë dhe ngjarjet në ambiente të hapura.

Sipas tij, këta persona mjafton të kenë certifikatë se janë infektuar me COVID-19 në 45 ditët e fundit.