Lajme
Marrëveshjet Zvicër – BE: Nis periudha e konsultimeve publike

Pas vite të tëra bllokade dhe pas rrëzimit të marrëveshjes kornizë në vitin 2021, Zvicra dhe Bashkimi Evropian kanë arritur një marrëveshje të re gjithëpërfshirëse. Përfundimi i suksesshëm i negociatave u njoftua më 20 dhjetor 2024, ndërsa më 13 qershor 2025 u publikua zyrtarisht teksti i traktatit, me një gjatësi prej 1 889 faqesh, shkruan 20minuten, transmeton albinfo.ch.
Marrëveshja përqendrohet në zhvillimin e mëtejshëm të marrëveshjeve dypalëshe ekzistuese, si dhe në shtimin e kapitujve të rinj për energjinë elektrike, ushqimin dhe shëndetësinë. Elementi më i diskutueshëm është miratimi dinamik i legjislacionit të BE-së, që do të kërkojë nga Zvicra pranimin automatik të rregulloreve të reja brenda fushëveprimit të marrëveshjes, me një mekanizëm arbitrazhi në rast mosmarrëveshjeje.
Në rast të mospajtimit, një komitet i përzier me përfaqësim të barabartë do të përpiqet fillimisht të zgjidhë çështjet përmes dialogut politik. Nëse kjo dështon, çështja mund të kalojë në një tribunal arbitrazhi me pesë anëtarë, ku për çështjet që përfshijnë të drejtën e BE-së, Gjykata Evropiane e Drejtësisë do të ketë fjalën përfundimtare për interpretimin juridik. Nëse Zvicra refuzon zbatimin e vendimit, BE-ja mund të vendosë masa kompensuese, transmeton albinfo.ch.
Një tjetër pikë e debatueshme është zbatimi i Direktivës për të Drejtat e Qytetarëve, e cila zgjeron lirinë e lëvizjes dhe të drejtën e qëndrimit për qytetarët e BE-së. Marrëveshja përfshin përjashtime për Zvicrën, duke kufizuar këtë të drejtë vetëm për qytetarët që janë realisht të punësuar. Megjithatë, kritikët paralajmërojnë se përkufizimi i punësimit është shumë i gjerë dhe mund të ndikojë negativisht në sistemin e sigurimeve shoqërore.
Për të mbrojtur standardet zvicerane të punës dhe pagave, janë përfshirë 14 masa shoqëruese, të cilat janë negociuar mes sindikatave dhe punëdhënësve. Po ashtu, është arritur një klauzolë mbrojtëse për imigracionin, që mund të aktivizohet në rast të ndikimeve serioze ekonomike ose sociale.
Publikimi i marrëveshjes ka hapur periudhën e konsultimeve publike, e cila do të zgjasë tre muaj. Gjatë kësaj kohe, partitë politike, kantonet, shoqatat dhe qytetarët mund të japin komentet e tyre. Pas kësaj faze, teksti i marrëveshjes do t’i dorëzohet Parlamentit për shqyrtim dhe në fund vendimi do të merret nga qytetarët përmes një referendumi popullor, transmeton albinfo.ch.
E-Diaspora
-
Madrid: Baritoni shqiptar Gëzim Myshketa debuton në “Teatro Real” Baritoni Gëzim Myshketa debuton në Madrid përkrah emrave të mëdhenj të operës botërore...
-
Spitex BajRon AG, ju flet shqip
-
Byreku shqiptar në festivalin 2025 në Illinois
-
Prizreni mirëpret diasporën me parkim falas në oborret e shkollave
-
Arratiset gjatë transportit të të burgosurve – Policia kërkon 23-vjeçarin shqiptar
Jeta në Zvicër
-
Grabiten implante dentare me vlerë rreth 1 milion CHF në Oensingen Një grabitje profesionale ka ndodhur të martën në mbrëmje në një kompani të specializuar në prodhimin...
-
UBS fillon migrimin e klientëve zviceranë të Credit Suisse
-
Tre sulme seksuale në vetëm dy orë në Biel
-
Gotthard: Radhë prej 10 kilometrash në nisje të pushimeve verore
-
Taksimi i shoferëve të huaj: A është zgjidhja për bllokimet e trafikut gjatë verës?