Maqedonia

Mattis thotë se ky është referendumi më i rëndësishëm për historinë e Maqedonisë

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, ka vizituar kryeqytetin e Maqedonisë në prag të referendumit për marrëveshjen për emrin e këtij shteti.

Pas takimit me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev dhe ministren e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, ai ka theksuar se referendumi është mundësi unike për të shënuar histori në vend.

“Jemi të gatshëm që t’ju dëshirojmë mirëseardhje si anëtare e 30-të në aleancën tonë. Vota në referendum është vota më e rëndësishme historike e vendit tuaj”, ka theksuar Mattis, duke shtuar se këtë porosi do t’ia përcjellë edhe presidenti Gjorgje Ivanov.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, tha se më 30 shtator qytetarët e Maqedonisë do të duhet të vendosin për të ardhmen e tyre.