Shqipëria

Mbi 200 mijë shqiptarë kanë marrë nënshtetësinë italiane

Raporti zyrtar i autoriteteve italiane konfirmon se mbi gjysma e shqiptarëve që jetojnë e punojnë në Itali kanë marrë nënshtetësi italiane, me gjithë vitin e vështirë pandemik për lëvizjen e qytetarëve, Shqipëria është vendi me numrin më të lartë të emigrantëve të pajisur me leje qëndrimi e preokupues shfaqet kërkesa e lartë e të rinjve deri në moshën 29 vjeç.

Janë mbi 200 mijë emigrantë shqiptarë në Itali që kanë marrë nënshtetësinë italiane e kjo e dhënë është publikuar nga Instituti Italian të Statistikave, e i siguruar nga Ora News.

Ky raport ka analizuar të dhënat e kombësive të ndryshme të emigrantëve që jetojnë në territorin italian, me referim kohor deri më 1 janar 2021.

Sipas Institutit Kombëtar Italian, ISTAT, në çdo 100 emigrantë shqiptarë që jetojnë e punojnë në Itali, 50 prej tyre kanë marrë nënshtetësinë italiane.

Ndër komunitetet e huaja, ata kanë numrin më të lartë të emigrantëve me nënshtetësi italiane.

Në nivel kombëtar, në çdo 100 emigrantë, 29 prej tyre ka marrë nënshtetësinë italiane, e për komunitetin shqiptar ky koeficient është më i larti, 100 me 50.

Pas emigrantëve shqiptarë vijnë ato marokenë që shënojnë 48 shtetas të rinj italianë në çdo 100 emigrantë nga Maroku.

Vetëm në vitin 2020 janë 28 107 emigrantë shqiptarë që kanë marrë nënshtetësi italiane. Mbi 17 mijë prej tyre për motive rezidence afatgjatë pune e banimi në Itali, mbi 2700 për motive martese e gati 8000 për motive të tjera të paspecifikuara.

Kjo e dhënë ka bërë që dhe numri i shqiptarëve me leje qëndrimi të regulltë në Itali, të tkurret në -8.5%.

“Kjo tkurrje e lejeve të qëndrimit afatgjatë për emigrantët shqiptarë, shpjegon Istat-i italian, lidhet me nurmin e lartë të nënshtetësisë italiane marrë nga ky komunitet. Lejet e qëndrimit afatgjatë janë një nga kushtet e para për marrjen e nënshtetësisë italiane”.

Raporti nënvizon se viti i vështirë pandemik ka shënuar për Italinë dhe numrin më të ulët të lejeve të qëndrimit lëshuar për emigrantët gjatë dekadës së fundit, e gati 40% më pak se viti 2019.

E megjithatë emigrantët shqiptarë në Itali mbajnë një tjetër rekord në këtë raport vjetor.

Janë komuniteti me numrin më të lartë të emigrantëve që gjaët vitit 2020 kanë marrë leje qëndrimi në Itali.

Gjatë vitit 2020 janë 13 185 shqiptarë që janë pajisur me leje të rregulltë qëndrimi me afat kohor nga 6 muaj e sipër.

Preokupues shfaqet numri i lartë i të rinjve shqiptarë të pajisur me leje qëndrimi në Itali vetëm gjatë një viti.

5127 prej tyre janë në moshën deri 17 vjec, 1679 në moshën nga 18-24 vjeç, e 1452 nga 24 në 29 vjeç.

Të dhënat e këtij Instituti komunikojnë se në Itali deri më 1 janar 2021 rezultojnë të regjistruar 381 120 mijë shqiptarë, 193 428 meshkuj, 187 592 femra, e mbi 200 mijë me nënshtetësinë italiane.

255 727 emigrantë shqiptarë kanë leje qëndrimi afatgjatë në Itali, mbi 26 mijë për motive pune, mbi 87 mijë për motive familjare, 1657 për motive studimi e mbi 9500 për motive të tjera të paspecifikuara në këtë raport.

Më pak të huaj e më shumë “italianë të rinj” nënvizon ky raport që dokumenton se me gjithë vitin e vështirë pandemik e limitimin e lëvizjeve ndërkufitare, kërkesat e praktikat për marrjen e nënshtetësisë italiane, si dhe për leje qëndrimet për motive pune e familjare, kanë renditur Shqipërinë ndër vendet më numrin më të lartë ndër të gjitha vendet e origjinës së emigrantëve që jetojnë e punojnë në Itali.

 


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI