Kosova

Mbi 400 mijë vetura rrugëve të Kosovës, preferohen prodhimet gjermane

Rrugëve të Kosovës qarkullojnë mbi 418 mijë vetura të ndryshme. Rreth 280 mijë prej tyre janë automjete të cilat origjinën e kanë nga Gjermania. Mbi 30 mijë me bazë nga Franca. E pjesa tjetër përmbushet me makina të shteteve tjera

Kolonat e gjata me të cilat përballen qytetarët e Kosovës vazhdimisht, nuk janë krejtësisht pa arsye.

Përpos kushteve aspak të mira në infrastrukturën rrugore, problem është bërë edhe prania e një numri të madh të automjeteve.

Shumë prej këtyre automjeteve madje janë kritikuar për dëmtim të ajrit, për shkak të vjetërsisë dhe problemeve të cilat iu janë shfaqur këtyre veturave.

Ani pse numri i veturave është i madh, mjaftë i lartë vazhdon të jetë ende numri i atyre të cilat regjistrohen çdoherë në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, raporton Monitor, transmeton albinfo.ch.

Brenda 2022, mbi 30 mijë vetura të regjistruara

Ky institucion ka treguar se numri i veturave të cilat janë regjistruar në vitin 2022 është 30 mijë e 706.

Por në kuadër të këtyre regjistrimeve që bëhen, ka edhe shumë vetura të cilat duhet ri-regjistruar, për shkak të kalueshmërisë së afatit.

Sipas MPB-së, numri i përgjithshëm i veturave të ri-regjistruara në vitin 2022 është 69 mijë e 940 vetura.

Por edhe këtë vit, as qytetarët e Kosovë nuk i kanë qëndruar larg trendit të veturave elektrike apo hibride.

Përparësitë që posedojnë këto vetura dhe të mirat që iu sjellin drejtuesve të automjeteve, kanë bërë që shumë qytetarë të zgjedhin të blejnë një të tillë, e ta regjistrojnë në kuadër të institucioneve të Kosovës.

Sipas ministrisë përkatëse, vetura të tipit elektrike, hibride apo të ngjashme në Kosovë të regjistruara janë 2 mijë e 650.

Kësisoj në rrugët e Kosovës veturat të cilat posedojnë regjistrim valid nga këto lloje mund të shihni mbi 2 mije të tilla.

E në të gjitha rrugët e Kosovës, e ku padyshim shihni vetura të ndryshme janë gjithsej mbi 418 mijë.

Veturat nga Gjermania më të pëlqyerat

Llogaritet se rreth 280 mijë vetura që qarkullojnë në Kosovë janë automjete të cilat origjinën e kanë nga Gjermania. Mbi 30 mijë me bazë nga Franca. E pjesa tjetër përmbushet me makina të shteteve tjera.

Prej veturave gjermane, qytetaret e Kosovës del se i preferojnë më së shumti ato të tipit “Volkswagen”. Mbi 150 mijë të tilla enden në vend apo rreth 38.3 për qind e të gjitha veturave.

Pos tyre, qytetarët janë merakli edhe të “Mercedesit”. Afër 49 mijë vetura të kësaj marke janë në duart e tyre.

Në Kosovë janë edhe 37 mijë makina të tipit “Opel”. 26 mijë aso “Audi” e 16 mijë “BMW”, të tria këto kompani po ashtu gjermane.

Edhe veturat franceze preferohen nga qytetarët e Kosovës.

Mbi 32 mijë të tilla qarkullojnë rrugëve të Kosovës. Afër 13 mijë janë “Renault”, mbi 12 mijë “Peugeot” dhe mbi 7 mijë e 800 “Citroen”.

Pjesa tjetër e makinave vijnë nga shtetet tjera. Ka aso nga Spanja, Italia, por edhe më larg nga Amerika e Japonia.

Brenda këtij viti, drejtuesve të automjeteve në Kosovë iu desh të merren edhe me një procedurë të re të regjistrimit. Nga 1 marsi i vitit 2022, nisi zbatimi i plotë i projektit për vendosjen e pullave ngjitëse (stickers) në mjetet motorike.

Pulla ngjitëse merrej në rastin e kontrollit teknik të automjetit, i cili është i nevojshëm për regjistrimin e tij dhe si e tillë kërkohej të vendoset në një vend të dukshëm të veturës.

Byroja Kosovare e Sigurimit pati marrë përsipër të mbulojë të gjitha shpenzimet financiare dhe operative lidhu me vendosjen e pullave ngjitëse nëpër mjetet motorike. Rrjedhimisht, buxheti i shtetit të Republikës së Kosovës nuk do të ketë asnjë ngarkesë financiare lidhur me vendosjen e pullave (stickers).