Lajme

Mbi tre miliardë euro kalon deficiti tregtar i Kosovës

Mbi 3 miliardë euro Kosova ka një deficit vjetor tregtar. Sipas ekspertëve ky deficit tregtar është i lartë dhe vjen si pasojë e mospërputhjes ndërmjet vlerës së eksporteve dhe të importeve.

Si i tillë, deficiti në këtë nivel, nënvizojnë ekspertë të ekonomisë dhe përfaqësues të bizneseve, ndikon edhe në zhvillimin ekonomik të vendit.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për vitin 2018, vlera e importit të produkteve të huaja në Kosovë kishte arritur shifrën mbi 3 miliardë euro, kurse eksporti i produkteve të Kosovës në vendet e rajonit dhe Evropës, ishte mbi 350 milionë euro, shkruan RadioEvropa

Nga ana tjetër, në të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës të publikuara në raportin “Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë”, theksohet se eksporti i mallrave në muajin korrik 2019 kishte vlerën 40.4 milionë euro, ndërsa importi kishte vlerë 336.8 milionë euro.

Këto shifra tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 5.3 për qind në muajin korrik 2019, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2018.

Deficiti tregtar, sipas BQK-së, ka shënuar rritje nga viti në vit.

Kjo situatë nga ekspert të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të bizneseve konsiderohet të jetë e dëmshme në përgjithësi për zhvillimin ekonomik të vendit.

Naim Gashi, ekspert i çështjeve ekonomike, tha për Radion Evropa e Lirë se Kosova duhet të ulë varësinë e ekonomisë së Kosovës nga importi, nëpërmjet nxitjes së prodhimtarisë vendore.

Por, sipas tij, ajo që po pamundëson zhvillimin ekonomik dhe zhvillimin e prodhimtarisë vendore, është pabarazia në treg.

“Fatkeqësisht, Kosova ka një deficit të lartë tregtar që tejkalon 3 miliardë euro në vit, që do të thotë se vetëm 1 me 10 e importit të mallrave dhe prodhimeve të cilat vijnë në Kosovë, mbulohen nga eksporti, ku shprehur në shifra 1 me 10 e kemi proporcionin e bilancit tregtar me botën e jashtme. Pavarësisht disa skemave publike të përkrahjes së prodhimit vendor, megjithatë hendeku i deficitit të lartë tregtar me botën e jashtëm po thellohet në vazhdimësi, pasi që këto skema nuk po japin efektet e dëshiruara për shkak të korrupsionit të nivelit të lartë që ekziston në Kosovë dhe pabarazisë në treg”, ka thënë Gashi.