Lajme

Më pak mbytje në Zvicër gjatë vitit 2025

43 persona humbën jetën nga mbytja vitin e kaluar, pothuajse të gjitha rastet në liqene, lumenj dhe ujëra të hapura

Zvicra ka regjistruar një rënie të numrit të mbytjeve fatale gjatë vitit 2025. Sipas të dhënave të publikuara nga Shoqata Zvicerane e Shpëtimit në Ujë (SLS), 43 persona humbën jetën nga mbytja vitin e kaluar, pothuajse të gjitha rastet në liqene, lumenj dhe ujëra të hapura.

Ky është viti i parë që nga viti 2021 kur numri i viktimave bie nën 50. Për krahasim, në vitin 2024 u regjistruan 59 raste fatale, ndërsa në vitin 2022 u shënua një rekord negativ me 66 viktima, transmeton albinfo.ch.

Sipas statistikave, rreth 80% e viktimave ishin meshkuj. Grupmoshat më të prekura ishin të rinjtë 17-32 vjeç dhe personat mbi 65 vjeç. Rreth 40% e rasteve përfshinin persona të moshuar.

Ekspertët e sigurisë në ujë theksojnë se, pavarësisht përmirësimit të statistikave, rreziku mbetet i lartë gjatë muajve të verës, sidomos në ujërat e hapura ku kushtet mund të ndryshojnë shpejt. Ata u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë notit dhe aktiviteteve rekreative në liqene dhe lumenj.