Integrimi

Mentor Ilazi, në garë për Asamblenë e komunës Ollon, Vaud

“Jam rritur në Zvicër dhe jam në dualizëm të përditshëm mes vlerave zvicerane dhe atyre shqiptare që, në fakt, më bëjnë edhe më të fortë, si shqiptar dhe zviceran”

Në Ollon të Kantonit Vaud, ashtu sikurse në gjithë kantonin më 7 mars mbahen zgjedhjet lokale. Këto zgjedhje kanë rëndësi edhe për komunitetin e këtushëm shqiptar, veç tjerash edhe për faktin se njëri ndër kandidatët është edhe Mentor Ilazi. Ai kandidon për PLR (Partinë Liberale Radikale).

Albinfo.ch ka zhvilluar një intervistë me z. Ilazi. 

Albinfo.ch: Z. Mentor Ilazi, na tregoni, cila është ndjenja që si shqiptar të kandidoni në zgjedhjet lokale në komunën e Ollon-it ? 

M. Ilazi:Nocioni “shqiptar” përfshin ndjenjat dhe krenarinë. Kur flasim për ndjenja, ato janë të trashëguara nga familja dhe rrethi shoqëror. Unë jam i rritur në Zvicër dhe jam në dualizëm të përditshëm mes vlerave zvicerane dhe atyre shqiptare që, në fakt, më bëjnë edhe më të fortë, si shqiptar dhe zviceran.

Albinfo.ch: Sa mendoni që ka ndikim vota e shqiptarëve në këto zgjedhje?

M. Ilazi:Si në çdo demokraci, aty ku është mobilizimi më i madh, shihet edhe rezultati. Komuniteti shqiptar tani që nga pavarësia e Kosovës ka filluar të ndihet më i lirë dhe më i përcaktuar në aspektin politik këtu në kantonin Vaud, gjegjësisht edhe në zgjedhjet lokale. Shfrytëzoj rastin të bëj thirrje që e drejta e votës është sublime dhe duhet të zbatohet.

Albinfo.ch: Sipas jush, cilat janë nevojat jetike të komunitetit shqiptar në Ollon?

M. Ilazi:Thuhet që është e rëndësishme të kemi një përcaktim të përgjithshëm, po ajo që shihet dhe aty ku ndihet nevoja, është në aspektin lokal dhe këtu mendoj që komuniteti shqiptar mund të jetë më i organizuar në nivel lokal, jo vetëm në këto zgjedhje, po sidomos me organizim të mirëfilltë, për shembull, me një shoqatë ku mund të përkufizohet me objektiva afatgjatë!

Albinfo.ch: A i ndiqni zhvillimet politike në Shqipëri dhe Kosovë dhe cili është mendimi juaj për kastën politike në Kosovë?

M. Ilazi:Sa i përket klasës politike në Kosovë dhe Shqipëri, ashtu siç është shoqëria shqiptare në përgjithësi, e konsideroj dinamike dhe të përcaktuar për zhvillim dhe vendosje të një demokracie të mirëfilltë. Por, rajoni i Ballkanit duhet të luftojë korrupsionin dhe të ndërtojë një stabilitet të qëndrueshëm politik. Po, me sa duket, koha do të jetë përcaktuese e zhvillimeve demokratike, ku popullsia do ta ndjejë një zhvillim dhe një përfitim socio- ekonomik edhe në fusha të tjera.

Albinfo.ch: Cili mendoni që mund të jetë zeniti i karrierës tuaj politike?

M. Ilazi:Mendoj së pari të jem zëdhënës i votuesve, të mbroj votën e qytetarëve dhe të ndikoj në paqen sociale dhe njëherësh në kohezionin shoqëror. Ne jemi duke përjetuar një ndryshim të madh shoqëror, ku përfshihet ardhja e inteligjencës artificiale, mënyra e punës, lëvizshmëria, përdorimi i energjive të ripërtëritshme etj. Një epokë e re na pret dhe unë kam dëshirë të kontribuoj në këtë ndërtim dhe drejtim. Është e rëndësishme të lihen perspektivat për brezat e ardhshëm.

Albinfo.ch: Përshëndetja shqiptare që do t’ju pëlqente t’ia bënit komunitetit shqiptar këtu ? 

M. Ilazi:Forcimi i komunitetit përfshin një angazhim gjithëpërfshirës, ku organizimi në nivele lokale, kantonale dhe nacionale do të ishte një pozicionim afatgjatë i komunitetit. Jeta në Zvicër kërkon organizim dinamik për t’i marrë parasysh nevojat jo vetëm të gjeneratave të para të komunitetit shqiptar, por edhe të gjeneratave të reja.

Intervistën e realizoi: Zamira Bytyçi


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI