Gjuha

Mësimi plotësues i shqipes vlerë dhe trashëgimi për fëmijët e diasporës

Nuk ekziston popull tjetër në Ballkan, as ai i Greqisë se re, që mund të ndjek historinë e fisit të vet, ashtu me rend kronologjik, qysh prej kohëve të lashta gjer në ditët tona, sikurse populli shqiptarë. Ludvig (Lajosh) Thalloczy.

*

Është pranuar gjithnjë nga sociologët se gjuha është themelore për jetën sociale, është mjeti që mundëson marrëdhëniet mes njerëzve. Nëpërmjet saj shoqëria njerëzore realizon procesin e ndërveprimit, mes brezave, kombeve e vendeve. Brezat njohin paraardhësit dhe lënë ‘gjurmët’ e tyre tek pasardhësit; popujt përmes gjuhës shkëmbejnë dhe ndihmojnë njëri ­tjetrin. Është pikërisht gjuha ajo që na ndihmon në të kuptuarit e lidhjeve me elementet identifikuese të qenies sonë kombëtare. Me një fjalë, gjuha është mjet komunikimi, trashëgimie, mjet i krijimit të identitetit, është ‘nyja’ që lidh botën njerëzore.

Brezi i të rinjve të diasporës, në veçanti ai i gjeneratës së tretë, të lindur në shtetin Zviceran, nga prindër të emigruar në kohë e rrethana të ndryshme, përfaqësojnë vlerat, traditat, dhe gjuhen e një kombi e një etnie, pavarësisht se është i ndarë nga tërësia. Ndër vlerat më të spikatura, të identitetit të një kombi, është mësimi i gjuhës, si një element i rëndësishëm, i cili lidhet me identitetin dhe ardhmërinë e kombit. Mësimi i gjuhës shqipe nga fëmijët e komunitetin shqiptarë në Zvicër nuk është vetëm një çështje, thjeshtë nevoje dhe dashurie për të. Është më shumë se kaq, është faktorë kyç në mbijetesën e një komuniteti, në ekzistencën e tij dhe mos asimilimin.

**

Integrimi i brendshëm, me theks të veçantë ai i njohja e gjuhës se vendit, konsiderohet si një element kryesore dhe mjaft i rëndësishëm, por po ashtu është e rëndësishme të dihet shkalla e angazhimit për të kultivuar dhe ruajtur gjuhën amtare, ngase një prej karakteristikave kryesore e identifikuese për mërgatën tonë është gjuha.

Fakti që njerëzit mund të jetojnë paralelisht me kultura, gjuhë dhe identitete të ndryshme është më tepër një vlerë, sesa përjashtim. Gjuhët dhe kulturat e ndryshme, sidomos kur u përkasin grupeve etnike të veçanta, duhet të ruhen e mbrohen, dhe jo të nxiten drejtë asimilimit dhe përjashtimit të tyre. Të folurit dhe sidomos, të shkruarit në gjuhën kombëtarë sot është një tregues kulture.

Por a janë mjaftueshëm të informuar prindërit e mërgatës mbi rëndësinë që ka ndjekja e programit për mësimin plotësues të gjuhës amtare nga fëmijët e tyre? Ka mendime dhe qëndrime të ndryshme nga vetë prindërit, ndoshta kjo për faktin se duke qenë të preokupuar me angazhimet e përditshme dhe sfidat që sjelle jeta në përgjithësi, herë pas here shfaqet një dozë skepticizmi se mësimi plotësues i shqipes do të ishte pengës për fëmijët në mësimet e përditshme. Po ashtu, tek prindërit vërehet një ’frikë’, se mësimi i dy gjuhëve njëkosisht do të krijonte telashe në mësimin e gjuhës së vendit, gjegjësisht gjermanishtes, e gjuhëve tjera zyrtare si gjuhë të shkollimit, komunikimit, punës, etj. Por, çfarë thonë hulumtimet të bëra në këtë fushë? Natyrisht të kundërtën. Fëmijët me dygjuhësi janë më të zgjuar në raport me ata që njohin vetëm një gjuhë. Dygjuhësia njëherit është ndihmesë për mësimin e gjuhëve të huaja. Fëmija i cili përvetëson dy gjuhë është shumë më i kompletuar, është me kreativ dhe se më shumë ka prirje për të përvetësuar fjalë e koncepte të reja.

Në këtë rast, qëndrimi i prindërve është shumë me ndikim, ngase vet prindërit duhet të jenë ata që në bashkëpunim me lidhjen e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë në shtetin Zviceran, të kenë rol vendimtar për të inkurajuar fëmijët që të jenë pjesë e programit për mësimin plotësuese të gjuhës Shqipe. Duke ndihmuar në tejkalimi e vështirësive, sidomos në drejtim të shtimit të numrit të nxënësve dhe përmirësimit të cilësisë në shkolla.

***

Fillet e para të të mësuarit të gjuhës shqipe, fëmijët padyshim i marrin në familje, si faktori kryesor i shoqërizimit. Këto njohuri plotësohen dhe thellohen edhe me vizitat në vendin e origjinës. Vend të rëndësishëm kanë edhe masmediat në gjuhën shqipe, të cilat ndihmojnë për të komunikuar me gjuhën amtare.

Një tjetër faktor i rëndësishëm i shoqërizimit siç njihet në shkencën e Sociologjisë, është padyshim shkolla, e cila në këtë rast, përmes programit mësimi plotësues i Gjuhës Shqipe, luan rol të veçantë në plotësimin dhe thellimin e këtyre njohurive. Ndjekja e mësimit plotësues është e një rëndësie të veçantë, përshkak se fëmija nga familja merr dhe përvetëson mësimin e të folmes së shqipes deri në një shkallë të caktuar, varësisht prej dialektit që përdorin prindërit. Mësimi plotësues do të kishte ndikim direkt tek fëmijët që të përvetësojnë artikulimin apo shqiptimin në mënyrë korrekte të fjalëve dhe ndërtimit të fjalive. Ata do të arrinin të pasurojnë fjalorin me fjalë të reja, të kenë një nivel më të qëndrueshëm në lexim e në shkrimin në gjuhën amtare. Me ndjekjen e mësimit plotësues të shqipes, fëmijët do të njihen me gjuhën e njësuar letrare apo shqipen standard, e cila do t’u bënte të mundur atyre të folurit e kuptueshëm si dhe përmirësimin, e korrektimin e shqiptimit të drejtë të gjuhës. Kjo do të ndikonte që në të ardhmen të kenë më të lehtë pjesëmarrjen në aktivitete shoqërore në vendin e rrënjëve të veta, qoftë në marrëdhëniet me familjar, e po ashtu në komunikimet me të tjerët.

Mësimi plotësues i Gjuhës Shqipe është një proces mjaft i rëndësishëm, proces për të cilin duhet angazhim dhe përkushtim edhe më i madh, ngase Gjuha është thesar i kombit, është vlerë dhe trashëgimi që duhet ruajtur e kultivuar nga brezi i ri.

Prandaj, të gjithë prindërit pjesë e mërgatës shqiptare në shoqërinë Helvetike, duhet të ndërgjegjësohen për këtë çështje të rëndësishme, e cila është vendimtare për të sotmen dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre. Angazhimi i tyre në aktivitetet socio­kulturor, artistike e sportive, të mos shihen si të vetmet aktivitet të rëndësishme, por që paralelisht me mësimin plotësues të shqipes, të u lehtësohet rruga e ofrimit pranë kulturës dhe traditës kombëtare.

Armend Berisha