Koronavirusi: çast pas çasti

Migros dhe COOP: Kush pushon në vendet me rrezik, nuk paguhet

Po kështu edhe federata e punëdhënësve në ndërtimtari ka  këshilluar punëtorët "urgjentisht" kundër udhëtimit në vendet me rrezik"

Kushdo që udhëton në një vend që është futur në listën prej 29 vendeve me rrezik duhet të karantinohet për dhjetë ditë. Punëdhënësit nuk kanë detyrim t`ua paguajnë pagat. Ky është parimi të cilin e ndjekin ata në bazë të vendimit të Qeverisë federale për karantinimin.

Në mesin e ndërmarrjeve të mëdha që kanë bërë me dije punëtorët e tyre për pasojat e udhëtimit në vendet e përmendura, janë edhe Coop dhe Migros, transmeton albinfo.ch. Ato nuk do të paguajnë për punëtorët e tyre që kanë udhëtuar ose do të udhëtojnë gjatë kësaj kohe në ndonjërin nga vendet me rrezik.

Po kështu edhe federata e punëdhënësve në ndërtimtari ka  këshilluar punëtorët “urgjentisht” kundër udhëtimit në vendet me rrezik”, raporton  gazeta “Tages-Anzeiger”. Në këtë degë punësohen rreth 3000 njerëz nga Serbia dhe Kosova.

Në koncernin e njohur të ndërtimit, “Implenia”, punonjësit që kthehen nga një zonë e rrezikut duhet të bëjnë pushime për të mbajtur karantinën ose të punojnë orë të tepërta pune si kompensim për kohën e humbur gjatë “pushimit” të karantinës.

Ngjashëm është tek ndërmarrjet  e mëdha zvicerane të shitjes me pakicë.

Zëdhënësi i Migros-it, Marcel Schlatter ka thënë për Nau.ch: “Sigurisht, karantina llogaritet në kurriz të kohës së lirë”.

Po kështu qëndron puna edhe me konkurrencën e migros-it, ndërmarrjen e madhe të tregtisë me pakicë, COOP: “Sipas bazës ligjore, koha e kaluar në karantinë nuk paguhet, dhe kjo vlen në parim edhe për Coop-in”, thotë zëdhënësja, Rebecca Veiga, përcjell albinfo.ch. Por, në një rast të tillë, megjithatë, COOP kërkon një zgjidhje të përbashkët me punonjësin e prekur.

“Për shembull, punonjësit tanë kanë mundësinë t`i mbledhin në këtë llogari kreditë ekzistuese për pushime ose orët e bëra jashtë orarit”.

Edhe në ndërmarrjet tregtare Discounter, si Lidl dhe Aldi, nuk paguhen pagat gjatë  karantinës pas një udhëtimi në një vend rreziku, transmeton albinfo.ch. Ato gjithashtu u ofrojnë punonjësve të tyre të kompensojnë kohën e humbur duke shpenzuar ditët e mbetura të pushimit (apo të pushimeve të ardhshme) ose me punë jashtë orarit, përcjell albinfo.ch. Zëdhënësja e Lidl Corina Milz thotë: “Ne aktualisht po rekomandojmë që të mos udhëtohet në zonat me rrezik të lartë”.

Sindikata Unia u bën apel punëdhënësve

Në Sindikatën Unia shprehen të pakënaqur me këtë qëndrim të punëdhënësve. “Punëdhënësit nuk mund t’u tregojnë punonjësve se çfarë duhet të bëjnë ata në kohën e lirë e çfarë jo”, ka komentuar zëdhënësja, Leena Schmitter.

Ajo këshillon punonjësit të informohen më mirë. Por njëkohësisht ajo u apelon punëdhënësve, transmeton albinfo.ch. Ata mund të bëjnë përjashtime: në rast vdekjeje ose sëmundje serioze të një të afërmi të punëtorëve të tyre që kanë udhëtuar në vendet me rrezik.

Rregullorja e karantinës gjithsesi njeh disa përjashtime. Për shembull, punonjësit e ndërmarrjeve të transportit që transportojnë rregullisht mallra përtej kufirit nuk kanë pse të kalojnë në karantinë, përcjell albinfo.ch. Po ashtu ata që punojnë në sektorin e kujdesit shëndetësor ose për policinë lejohen të vazhdojnë punën nëse detyra e tyre cilësphet si “absolutisht e nevojshme”.