Kosova
Mike Pompeo: Heqja e tarifave dhe marrëveshja me Serbinë, të jenë përparësi
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, i shkroi letër urimi kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në të cilën thekson se është koha për vendosjen e marrëdhënieve normale me Serbinë që kanë qendër njohjen e ndërsjellë, ndërsa kërkon heqjen e tarifave prej 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.
“I uroj qytetarët e Kosovës për zgjedhjet e suksesshme dhe demokratike. E mirëpresim formimin e Qeverisë së Kosovës dhe presim që të punojmë së bashku, për të çuar përpara qëllimet e përbashkëta në rritjen e zhvillimit ekonomik, sundimin e ligjit dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, thuhet në letrën e sekretarit Pompeo.
“Tani është koha të kuptoni se normalizimi gjithëpërfshirës i marrëdhënieve me Serbinë, që ka në qendër njohjen e ndërsjellë, është thelbësor për integrimin e plotë ndërkombëtar të Kosovës. Shtetet e Bashkuara do t’ju qëndrojnë në krah, në përkrahje të këtij procesi”, shkruan në letër sekretari Pompeo duke nënvizuar se
“Heqja e tarifave për prodhimet nga Serbia dhe Bosnja do të jetë e rëndësishme për kthimin e palëve në tryezën e negociatave. Shpresojmë dhe presim që ju do ta bëni këtë gjë përparësi dhe do të përfitoni nga situata e krijuar pas dy letrave të qëllimit për të vendosur linjën ajrore dhe hekurudhore në mes të Prishtinës dhe Beogradit”.
Diplomatët amerikanë e kanë shtuar trysninë ndaj qeverisë së re për heqjen e tarifave, e cila ndërkaq është zotuar ta bëjë një gjë të tillë, por duke kushtëzuar heqjen e tarifave me vendosjen e masave të reciprocitetit të plotë me Serbinë, ndonëse ende është e paqartë se si do të realizohet një synim i tillë.
Në nëntor të vitit 2018, Qeveria e Kosovës vendosi tarifat prej 100 për qind ndaj mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj qasjes së Beogradit ndaj shtetësisë së Kosovës. Beogradi kushtëzon vazhdimin e bisedimeve për normalizim marrëdhëniesh me Kosovën me heqjen e këtyre tarifave, por qeveria e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj refuzoi çdo përpjekje të diplomacisë perëndimore për ta bindur për një gjë të tillë.
Opozita nuk pajtohet me planet e kryeministrit Kurti për heqjen e tarifave, madje Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës paralajmëroi këtë javë se “do të përdorë të gjitha mjetet demokratike për të penguar heqjen e tarifave”.
Menjëherë pas formimit të qeverisë së Albin Kurtit, ambasadori amerikan, Richard Grenell, i dërguar i posaçëm amerikan për bisedimet Kosovë – Serbi, tha se “pret që tarifat të hiqen menjëherë”.
Çështja pritet të diskutohet edhe gjatë Konferencës së Sigurisë në Munih që i zhvillon punimet nga 14 deri më 16 shkurt, e në të cilën do të marrë pjesë edhe sekretari Pompeo.
Të ngjashme
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
“Gjurmëve të Rrënjëve Tona”, një mbrëmje kushtuar identitetit shqiptar në mërgatë Është mbajtur edicioni i katërt i aktivitetit kulturor "Gjurmëve të Rrënjëve Tona", organizuar nga Misioni Katolik... -
Kampionati botëror: Austria, në kërkim të një vendi për në fazën eliminatore -
Nga Cyrihu drejt Amerikës, Ansambli “TROJET” çon kulturën shqiptare në Festivalin “Lahuta 35” -
Pulmologu shqiptar realizoi ëndrrën në Austri: Dr. Mefail Muji hap ordinancën e tij në Vjenë -
Ansambli “Vatra” sjell atmosferë shqiptare në “Albanifest” të Winterthurit
Jeta në Zvicër
-
Temperaturat ekstreme kanë mbaruar për momentin Disa ditë të tjera të nxehta janë të mundshme, por në përgjithësi, këto temperatura ekstreme kanë... -
Bazeli, qyteti më i nxehtë në Zvicër gjatë valës së të nxehtit -
Paga mesatare në Zvicër u rrit në 87 mijë franga në vit -
Cyrih: “Shtëpia e Operas për të Gjithë” tërheq 15,000 vizitorë -
Zwillikon: Policia zbulon lojëra të paligjshme të fatit në lokalin e kosovarit













