Lajme

NATO diskuton këtë javë hapat e ardhshëm rreth luftimeve në Ukrainë

Ministrat e Mbrojtjes që përfaqësojnë anëtarët e NATO-s kanë planifikuar të mblidhen në një seancë të posaçme këtë javë për të diskutuar hapat e ardhshëm që Aleanca duhet të marrë në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës, raporton The Wall Street Journal.

Takimi i të mërkurës në Bruksel mund të shënojë një tjetër hap për të mbështetur krahun e saj lindor.

Pas një takimi të ministrave të jashtëm të NATO-s në fillim të këtij muaji, Sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg, deklaroi: “Tani po shqyrtojmë seriozisht një rritje të konsiderueshme të pranisë, si në aspektin e më shumë trupave, ashtu edhe atë të mbrojtjes ajrore”. Më shumë informacione do të zbulohen në takimin e ministrave të mbrojtjes, tha Stoltenberg.

Anëtarët e shtetetve baltike, Estonia, Letonia dhe Lituania, si dhe Polonia dhe të tjerët, kanë insistuar prej kohësh që NATO të ketë një prani të përhershme në vendet e tyre për t’u mbrojtur nga agresioni rus. Për shkak të vendimit të presidentit rus Vladimir Putin për të nisur një sulm ndaj Ukrainës fqinje, anëtarët perëndimorë të NATO-s tani janë të gatshëm të marrin në konsideratë një masë të tillë.