Shqipëria

Mirë se vini në plazhet më të bukura shqiptare!

Plazhet më të bukura për pushime verore

Dëshironi që pushimet verore t’i kaloni në bregdetin e Shqipërisë?! Atëherë, Albinfo.ch ju sjell disa nga plazhet më të bukura që ofrojnë qetësi dhe rehati shpirtërore.

Ajo që këto plazhe i bën të konsiderohen ndër më të bukurat, është se janë të virgjëra dhe frekuentohen shumë nga njerëzit, me përjashtim të disave që ndodhen në pozicione të veçanta. Andaj, nëse doni pushime të qeta, pa zhurmë, zgjedhjen tashmë e keni!

Shqipëria vitet e fundit është bërë shumë tërheqëse për shumë turistë të huaj, por fokusi kryesor gjatë sezonit veror pa dyshim është diaspora shqiptare. Shumë prej tyre kalojnë kohë edhe në plazhet e Shqipërisë, prandaj po ju sjellim disa nga plazhet më interesante.

 

Shpella e Pëllumbave

Pamje nga Shpella e pellumbave

Shpella e Pëllumbave ka një pamje madhështore, e vetëkrijuar nga natyra e bukur.

Çdo gjë e natyrshme është tërheqëse, por Shpella e Pëllumbave në Shqipëri, me peizazhin e saj në mes të rërës dhe detit ofron pamje mahnitëse.

Gurët e saj me formën e thepisur, rëra e pastër pranë ujit kristal të lënë thjesht pa fjalë nga perfeksioni i natyrës së vetëkrijuar.

Në veri të Himarës, anës detit, në një plazh mes Jalit dhe Gjipesë, është kjo shpellë e jashtëzakonshme, në të cilën mund të hysh vetëm nga deti. Shpella e Pëllumbave është një plazh i bukur, rreth 12 km larg Sarandës dhe është ideal për not dhe relaksim.

 

Plazhi Pulëbardha

Pamje nga plazhi Pulëbardha

Një plazh i vogël dhe i bukur që ndodhet gati 12 km larg nga Saranda, përgjatë rrugës për në Butrint, shumë afër Ksamilit. Ky plazh i veçuar, i virgjër dhe shumë piktoresk, është në fundin e një kodrine, pranë një gjiri të vogël detar. Plazhi është vend ideal për të shijuar qetësinë dhe detin në relaks të plotë. Në plazh shkohet me veturë dhe gjendet edhe një restorant i vogël që shërben fruta deti dhe peshk të freskët.

 

Plazhi Mango

Pamje nga Plazhi Mango

Mango Beach është një plazh i bukur në Sarandë që është ideal për not dhe relaksim dhe të gjitha ato që ju duhen për të kaluar pushime të shkëlqyera.

Këtu mund të shijoni momente të këndshme me familjen ose miqtë tuaj. Plazhi publik në Shqipëri shërbehet dhe mirëmbahet.

 

Lumi i Shalës

Pamje nga Lumi i Shales

Lumi i Shalës cilësohet si një parajsë e Shqipërisë, gjendet në liqenin e Komanit dhe është kthyer në një nga destinacionet më tërheqëse lumore të Alpeve Shqiptare për turistët vendas e të huaj.

Lumi i Shalës buron rrëzë Alpeve Shqiptare dhe ka një gjatësi prej 37 kilometrash, prej burimit në majën e Radohinës e deri në Koman. Në të gjendet edhe një “plazh” i bukur për të shijuar rrezet e diellit, pranë ujit të kristaltë.

 

Gjiri i Gramës

Pamje nga Gjiri i Grmaes

Cilësohet si një prej vendeve më të bukura për të vizituar në Shqipëri, Gjiri i Gramës është një vend i mrekullueshëm për të kaluar ditën buzë detit dhe ndodhet pranë Vlorës.

Sipas vendasve, aty preferohet të shkohet me varkë, megjithatë, alpinistët mund të shijojnë një ecje të mrekullueshme. Vlen të theksohet se në këtë pjesë lejohet edhe kampingu, por sigurohuni të merrni me vete ujë, ushqime dhe produkte të nevojshme të tjera, sepse Gjiri i Gramës është i izoluar dhe nuk ka shërbime.

 

Plazhi Drimadhë

pamje nga Plazhi Drimadhes

Është shumë pranë Dhërmiut, vizitorët mund të shijojnë një palzh të izoluar dhe më pak të populluar, e ai është, pra, plazhi i Drimadhës.

E veçanta e këtij plazhi, ndryshe nga shumë brigje përgjatë bregut, është se Drimadha nuk është e mbushur me njerëz edhe në pikun e sezonit. Plazhi është i ndarë në dy pjesë nga një gur i gërmuar nga uji dhe era: në njërën anë është e përbërë nga guralecë, nga ana tjetër është e gjitha me rërë të shkëlqyer.

 

Plazhi i Gjipesë

Pamje nga Plazhi i Gjipesë

Plazhi i Gjipesë, i cilësuar si një prej xhevahireve të fshehura të Shqipërisë, është një ndër plazhet më të bukura të rivierës shqiptare. Vizitorët mund të shkojnë atje me anije ose makinë.

Plazhi i Gjipesë, i njohur ndryshe edhe si kanioni i Gjipesë, nis që nga rruga nacionale, mes fshatit Ilias dhe Jal dhe përfundon në bregdet, duke krijuar një oazë përrallore në bregun e Jugut.

Vlen të theksohet se plazhi është i rrethuar nga shkëmbinj të lartë, që të japin ndjesinë se ndodhesh në një ishull të shkretë dhe jo në një plazh normal.

Uji në plazhin e Gjipesë është kristal, i pastër dhe ngjyrë të kaltër.

 

Rana e Hedhun

Pamje nga Rana e Hedhun

Rana e Hedhun ka një histori interesante. Si palzh ka nisur të frekuentohet tek vitet e fundit. Më parë ishte një zonë ushtarake, ku nuk lejohej askush të shkonte.

Është një prej plazheve më unike në Shqipëri. Ky plazh ndodhet pranë Shëngjinit dhe është rreth një orë e gjysmë larg Tiranës me makinë. Rruga është relativisht e re dhe është lehtësisht e aksesueshme.

 

Plazhi i Jalës

Pamje nga Plazhi i Jalës

Jala sipas ekspertëve turistikë është një nga plazhet më të mrekullueshme të bregdetit shqiptar. Ky destinacion shumë turistik ndodhet mes Dhërmiut dhe Himarës.

Vite më parë ky plazh konsiderohej gati i “panjohur”, por së fundmi është pa dyshim një nga destinacionet kryesore të pushuesve shqiptarë dhe të huaj. /Albinfo.ch