Kultura

“Muza”, aty ku guximi i artisteve shprehet përmes ngjyrave

Ashtu si çdo artist që ka një muzë, për Njomza Havollin dhe Fitore Sylën, themeluese dhe drejtuese të byrosë projektuese “Muza”, inspirimi kryesor është dashuria për punën që e bëjnë

E themeluar para tri vitesh nga dy vajza të reja, “Muza” është më shumë se sa një byro projektuese. Çdo projekt që del nga “Muza” ka një koncept të veçantë, përçon një mesazh të ri e në të njejtën kohë ruan frymën që e karakterizon këtë kompani.

“Muza” lindi në vitin 2016, si bashkëpunim mes arkitekteve Njomza Havolli dhe Fitore Syla, dhe qysh atëherë është bërë inspirim e identitet për shumë zyra, shtëpi e vendbanime të tjera në Kosovë dhe jashtë saj.

Shumëllojshmëri ngjyrash dhe dizajne minimaliste

Guximi për të luajtur me ngjyra dhe dizajnet minimaliste bën që “Muza” t’i mbijetojë tregut dhe të korrë suksese për një kohë të shkurtër.

Arkitektja Njomza Havolli, në një intervistë për albinfo.ch thotë se “Muza” dallon nga kompanitë e tjera në Kosovë për shkak të koncepteve të veçanta që krijojnë për secilin projekt. “Kryesisht jemi të orientuara në minimalizëm, në forma të pastra të dizajnit edhe në shumëllojshmëri të ngjyrave, në kombinim ngjyrash që për shumë kënd mbase në fillim duken të frikshme, po për ne shprehin guxim. Ne me anë të ngjyrave e shprehim guximin tonë”, thotë Havolli.

Ndërsa bashkëthemeluesja tjetër, Fitore Syla, tregon se fillimi nuk ka qenë i lehtë për to, teksa thotë se iu deshën punë për të dëshmuar aftësitë e tyre krijuese në fushën e arkitekturës. Syla thotë se tashmë nuk e kanë sfidë besimin e klientëve, sepse me kohë e kanë dëshmuar punën e tyre.

“Jetojmë në një kohë kur njerëzit e kanë jetën dinamike me punë, aq më shumë duan ta kenë shtëpinë minimaliste, do të thotë kur të kthehen në shtëpi, duan të ndihen rehat, të mos kenë shumë elemente, por të kenë diçka të pastër dhe me ngjyra të këndshme, prandaj ne gjithmonë më shpesh e përdorim stilin skandinav, për shkak se na fle më shumë si stil, por nuk është që jemi të kufizuara në të, përdorim stile të ndryshme, kemi edhe kombinime të klasikes me modernen”, tregon Syla.

Muza e tyre është “dashuria për punën”

Me punën e tyre, Njomza e Fitorja janë inspirim për shumë të rinj në Kosovë, por për vetë punën e tyre, ato inspirohen nga gjëra të ndryshme.

Ashtu si çdo artist që ka një muzë, për to inspirimi kryesor është vet dashuria për punën që e bëjnë. “Inspirimi kryesor është dashuria e madhe ndaj punës që e bëjmë, është edhe dëshira për të krijuar gjëra të reja. Çdo projekt e ka muzën e veçantë, dhe e ‘thërrasim’ muzën në momentin që shkojmë e i bëjmë matjet në terren”, thotë Havolli.  “Inspirim është edhe klienti, sigurisht ne i analizojmë edhe shijet e klientit dhe pastaj mendohemi se çfarë mund të realizojmë për atë klient, edhe ajo ka shumë rëndësi”, shton Syla.

Në të ardhmen synojnë të punësojnë edhe vajza të tjera

Aktualisht, e gjithë puna në “Muza” realizohet nga Njomza e Fitorja. Por synimi i tyre është që në të ardhmen të punësojnë njerëz të tjerë, veçanërisht vajza.

“Gjatë punës sonë përfitojnë shumë kompani, janë të kyçur shumë ekipe, shumë punëtorë, të cilët janë të punësuar nga puna dhe angazhimi që ne u ofrojmë. Ndërsa në zyrën tonë planifikojmë ta rrisim stafin, të zgjerohemi, edhe normalisht të punësojmë sa më shumë vajza, jo vetëm se janë të gjinisë sonë, por sepse në drejtimin tonë vajzat anashkalohen”, thotë Havolli.

Të guximshme, ëndërrimtare dhe premtuese për të ardhmen

Përveç në Kosovë, vajzat e byros projektuese “Muza” kanë realizuar projekte edhe në Gjermani dhe Zvicër, teksa janë shprehur të gatshme edhe për projekte të tjera jashtë vendit.

Ato kanë realizuar projekte të shumta, për të cilët thonë se secili është i veçantë në mënyrën  se si është ideuar. Madje, edhe emrat e projekteve nuk janë vënë rastësisht, por janë të lidhur edhe me elementin më të vogël  në projekt.

“Një nga projektet që ka qenë shumë sfidues, mund të them që është “Dream House”, dhe njëherit është projekti më i madh që kemi realizuar. Është  renovim, është kryer në kohë rekord dhe në të është investuar më së shumti. Projekti është kryer në Prishtinë, në një shtëpi banimi, me rreth 204 metra katrorë”, ka thënë Syla.

Ndërkohë, “Diçka e madhe po vjen”, është paralajmërimi i tyre për të ardhmen e afërt, teksa përcjellin edhe një mesazh për të rinjtë. “Mos hiqni dorë nga ëndrrat e juaja. Çdo fillim ka vështirësi, por nëse punon, rezultati nuk mungon”, thonë vajzat e Muzës.

Të reja në moshë, të talentuara e plot vullnet për punë, Njomza Havolli dhe Fitore Syla premtojnë shumë në të ardhmen, sidomos në fushën e arkitekturës.

“Dream House”, projekti më i madh

“Një nga projektet që ka qenë shumë sfidues, është “Dream House”, dhe njëherit është projekti më i madh që kemi realizuar. Është  renovim, është kryer në kohë rekord dhe në të është investuar më së shumti. Projekti është kryer në Prishtinë, në një shtëpi banimi, me rreth 204 metra katrorë”, ka thënë Syla.

Havolli: Minimalizëm dhe forma të pastra

“Kryesisht jemi të orientuara në minimalizëm, në forma të pastra të dizajnit edhe në shumëllojshmëri të ngjyrave, në kombinim ngjyrash që për shumë kënd mbase në fillim duken të frikshme, po për ne shprehin guxim. Ne me anë të ngjyrave e shprehim guximin tonë”.