Sport

Naser Aliji do ta dëshironte Zvicrën kundërshtare në Paris

Intervistë me futbollistin e Kombëtares shqiptare, njëherësh edhe futbollist i Baselit, Naser Aliji

Futbollisti i lindur në Kumanovë, por i rritur dhe i zhvilluar si futbollist në Zvicër, Naser Aliji, është shumë i lumtur që u kualifikuan me kombëtaren e Shqipërisë në Kampionatin Evropian në Francë.

Ai gjithashtu është i lumtur që iu bashkua kuqezinjve dhe flet ekskluzivisht për albinfo.ch për ambiciet në Francë.

Aliji, i cili është anëtar i Baselit, do ta dëshironte Zvicrën ta ketë kundërshtare në grup, pasi ka shumë futbollistë shqiptarë.

albinfo.ch: Sa ka qenë i vështirë kualifikimi në Evropian?

Naser Aliji: Po, si të them, ka qenë shumë i vështirë, ndoshta edhe i pamundur në fillim kur është bërë tërheqja e shortit dhe kur kemi kuptuar se me kë do të përballemi në grup. Unë u bashkova vonë me Kombëtaren, por edhe përpara se të bashkohem me Shqipërinë, i kam ndjekur ndeshjet e saj. Grupi I, ku ishim ne, përbëhej me Kombëtare të forta si: Portugalia, Danimarka, Serbia, Armenia, ku disa prej këtyre konsideroheshin favorite për dy vendet e para, megjithatë kemi luftuar me shpirt dhe zemër dhe ia arritëm qëllimit, duke hyrë në histori të futbollit shqiptar që për herë të parë të kualifikohemi në një Kampionat Evropian. Kemi qenë një grup shumë i mirë dhe trajnei De Biasi ia doli të komponojë një skuadër kompakte, e cila në fund i befasoi të gjithë, por edhe neve. Unë jam krenar që jam pjesë e Kombëtares shqiptare të futbollit dhe këtë gjithmonë e kam ëndërruar.

Capture d’écran 2015-10-16 à 08.50.36

albinfo.ch: Si e vlerësoni këtë arritje?

Naser Aliji:  Është një arritje historike, sepse një sukses i tillë po arrihet për herë të parë. Ju edhe vetë e keni parë se çfarë pritje na është bërë kur u kthyem nga Armenia. U pritëm edhe nga kryeministri Edi Rama dhe presidenti Bujar Nishani. Ishte ngritur në këmbë një popull i tërë dhe po festonin, duke na shpallur hero të Kombëtares. Për mua ishte diçka fantastike dhe e kam përjetuar me shumë emocione, sepse shihja fytyra të buzëqeshura të njerëzve. Por jo vetëm në Tiranë, fitorja jonë u kremtua në të gjitha trojet shqiptare, në Kosovë, Maqedoni, Luginë të Preshevës dhe në vende të ndryshme të Evropës dhe botës.

albinfo.ch: Sa jeni të kënaqur me paraqitjet tua në Kombëtare në këto kualifikime?

Naser Aliji: Unë kam zhvilluar vetëm dy ndeshje për Kombëtaren. Në miqësoren me Francën që e fituam 1:0 në ‘Elbasan Arena’ dhe tani në ndeshjen e rëndësishme me Armeninë. Në të dyja përballjet shënuam fitore, që do të thotë se jam njeri me fat (qeshet).

albinfo.ch: Sa ka qenë vështirë të motivoheni në ndeshjen ndaj Armenisë pas humbjes nga Serbia?
Naser Aliji: Po, ishte shumë e vështirë, pas humbjes tronditëse me Serbinë në fushën tonë, megjithatë i tërë stafi teknik, por edhe kreu i Federatës kanë punuar me përkushtimin më të madh për të na kthyer vetëbesimin. Në ato pak ditë që kishin mbetur edhe ne lojtarët i jepnim kurajë njëri-tjetrit, sepse e dinim se për çfarë rëndësie kishte ndeshja. Kishim ardhur në cak dhe nuk guxonim ta lëshonim rastin historik dhe në fushë hymë me qëllimin për të fituar. Falë Zotit, ia dolëm dhe tash jemi në Francë.

albinfo.ch: Cilat janë synimet në Kampionatin Evropian dhe cilat kombëtare kishe pasur qejf t’i keni në grup?

Naser Aliji: Ne në Francë do të shkojmë për të luajtur futboll dhe të bëjmë një paraqitje sa më dinjitoze. Nuk besoj se do të koritemi, përkundrazi, edhe atje do të bëjmë surpriza. Ne e kemi mundur Portugalinë në terren të tyre dhe përse të mos befasojmë Kombëtare të kualitetit të tyre.

Albinfo.ch: Kë e dëshironi në grup?

Naser Aliji: Hmm, s’e di, ndoshta Zvicra, sepse do të ishte një ndeshje shumë interesante, për shkak se në terren do të jemi më shumë lojtarë shqiptarë dhe njihemi mes vete shumë. Pastaj e dua edhe Turqinë dhe Spanjën. Mendoj se janë kombëtare atraktive.

Kush është Naser Aliji:
Naseri është i lindur në Nikushtak të Kumanovës. Si katërvjeçar kishte migruar në qytetin Baden, Kantoni i Aargau-s, në Zvicër. Edhe sot e kësaj dite jeton në Baden. Me futboll ka nisur të merret në moshën 4-vjeçare, duke u regjistruar te FC Baden, ku kaloi 9 vjet, pastaj ka kaluar te  Baseli, një klub i njohur për afrimin e futbollistëve të talentuar shqiptarë, dhe nga i cili kanë dalë emrat si Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka. Ai së fundi iu ka bashkuar kuqezinjve dhe do të jetë pjesë e skuadrës në Kampionatin Evropian Euro 2016.