Kosova

Ndërkombëtarët mirëpresin vendimin për pronat e Manastirit të Deçanit

Bashkësia ndërkombëtare e ka mirëpritur urdhrin e Qeverisë së Kosovës për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit 24 hektarë tokë kalojnë në pronësi të Manastirit të Decanit.

“Një ditë e mirë për sundimin e ligjit në Kosovë. Zbatimi i shumëpritur i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016 në rastin e Manastirit të Deçanit dhe regjistrimi i tokave të Manastirit më në fund është realitet. BE-ja është e bazuar në sundimin e ligjit. Mbështetja e sundimit të ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë parakushte të nevojshme për rrugën e Kosovës drejt BE-së. Vendimi i sotëm është hap i mirëseardhur, që tregon për përkushtimin e Kosovës”, ka shkruar Tomas Szunyog, ambasador i Bashkimit Evropian në Kosovë.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, në një postim në rrjetin X ka shkruar se ndonëse i vonuar, zbatimi i vendimit shënon një hap të rëndësishëm në përkushtimin e shtetit të Kosovës ndaj sundimit të ligjit.

“Më në fund është bërë. Edhe pse zbatimi i vendimit të Kushtetueses për Deçanin ishte shumë i vonuar, ai shënon një hap të rëndësishëm në përkushtimin e shtetit ndaj sundimit të ligjit. Ne përgëzojmë Qeverinë e Kosovës, të gjithë aktorët politikë të përfshirë dhe Manastirin e Deçanit për këtë moment historik” shkroi Jorn Rohde.