Kosova

Vdes Mikel Kuzhnini, Kryetar Nderi i Lidhjes Shqiptare në Botë

Ndërroi jetë MIKEL KUZHNINI, veprimtari i pashoq i çështjes kombëtare shqiptare, Kryetari i Nderit i Lidhjes Shqiptare në Botë.

Pas njё sёmundjeje tё rёndё dhe tё gjatë, nё moshën 77-vjeçare vdiq nё Zagreb Mikel Kuzhnini. Ai u lind në Prizren më 22.05.1942. Rrjedh nga një familje e ndershme, bujare dhe atdhetare shqiptare.

Mikeli është rritur dhe edukuar me një frymë të shëndoshë patriotike dhe liridashëse, që nga ditët e rinisë së hershme. Ishin këto vlera të cilat u mishëruan në personalitetin e tij, e të cilat i kultivoi gjatë gjithë jetës.

Mikel Kuzhnini, atdhetar i madh, do të mbahet mend për kontributin e shquar për bashkimin e shqiptarëve, për sensibilizimin dhe promovimin e vlerave kombëtare.

Mikel Kuzhnini, atdhetar i madh, do të mbahet mend për kontributin e shquar për bashkimin e shqiptarëve, për sensibilizimin dhe promovimin e vlerave kombëtare.

Në aktivitetin e tij kombëtar, rëndësi të veçantë i kushtoi arsimimit të të rinjëve shqiptarë, si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri, duke ofruar ndihma përkatëse materiale. Me aktivitete të tilla u mor vazhdimisht, gjatë gjithë jetës.
Duke vepruar, herë në mënyrë të organizuar, e herë në ilegalitet, Mikeli dha kontribut tё rёndёsishёm në ndërtimin e idealeve kombëtare, patriotike liridashëse e demokratike.

Në vitin 1968, Mikeli me të vëllain Simonin dhe disa shokë në Prizren e ngritën flamurin kombëtar pranë shtëpisë së Lidhjes së Prizrenit. Pas atij akti Mikeli u desh të largohej për në Stamboll, duke zhvilluar aktivitete në Turqi. Angazhimi rreth këtyre çështjeve e detyruan familjen Kuzhnini që patjetër të largohej nga Kosova, dhe në vitin 1968/1969, të vendosen në Zagreb.

Gjatë viteve 90-të, kryesisht, Mikeli dha kontribut edhe në pranimin dhe vendosjen e familjeve shqiptare që u dëbuan me dhunë nga Kosova. Nё familjen Kuzhnini u vendosën edhe delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, të cilët, në vitin 1989, për shkak të shpalljes së Republikës së Kosovës, ishin të detyruar të largoheshin nga Kosova për në Zagreb. Ai u përkujdes edhe për luftëtarët e U Ç K-sё, qё morën pjesë nё luftën nё Kroaci. Një prej aktiviteteve me rëndësi që e zhvilloi i ndjeri Mikeli me disa veprimtarë tё tjerё, ishte organizimi për fillimin e transmetimit të emisionit të lajmeve në gjuhen shqipe në Radio Zagreb.
Mikeli zhvilloi edhe shumë aktivitete të tjera në anë të ndryshme të globit, si dhe mbajtja e grevës sё urisë për Kosovën, që e mbajtën në Bruksel, e cila pastaj u reflektua negativisht në shëndetin e tij.
Pavarësia e Kosovës është realizim i ëndrrës së kahmotshme të shumë brezave, si dhe tё Mikelit, i cili tërë jetën e tij ja kushtoi pavarësisë së vendit. Ai, bashkë me vëllain Simonin, ishin veprimtarë të shquar të çështjës kombëtare, duke ndërmarrë disa nisma për bashkimin e shqiptarëve, në të gjitha aspektet.

Mikeli me të vëllain binjak, Simonin ishin ideatorë të Lidhjës Shqiptare në Botë dhe e themeluan atë më 1997, me një qëllim dhe një mision- bashkimin e shqiptarëve. Vëllezërit, Simon e Mikel Kuzhnini kanë dhënë kontribut të madh në mbi dy dekada me bindjen se nuk ka forcë që do të mund të ndalë qëllimet e organizimit të Lidhjes Shqiptare në Botë.

Ata kanë arritur të mbajnë tri Kongrese të LSHB, në qendra kryesore shqiptare duke bërë bashkë shqiptarët dhe bartësit institucionalë.

Uniteti mes shqiptarëve ka qenë moto e Mikelit, të cilën është përpjekur ta përcjellë në çdo hapësirë ku ka vepruar. Do të mbetet gjithmonë në histori, projekti “Stop vëllavrasjes, jo hakmarrje”, të cilin vëllezërit Kuzhnini e kanë prezantuar në Mitrovicë.

“Është një plagë që e ka lënduar kombin tonë, për çka ne duhet të angazhohemi dhe ta stopojmë një herë e përgjithmonë”, kishte thënë Mikel Kuzhnini.

Për veprimtarinë e tyre patriotike, Mikeli bashkё me tё vёllanё Simonin, u nderuan nga presidenti i Shqipёrisё Bamir Topi me çmimin: NDERI I KOMBIT.

Vdekja e Mikelit, është humbje për familjën, për Lidhjen Shqiptare në Botë, humbje për popullin shqiptar, sepse Mikeli ishte njё patriot dhe veprimtar i pashoq.

Ceremonia mortore përcjellëse mbahet të hënën në Varrezat Mirogoj të Zagrebit në orën 15.00, kurse varrimi i të ndjerit bëhet të mërkurën, më 28 gusht, në orën 14.30 në Prizren.

Qoft i përjetshëm kujtimi për Mikel Kuzhninin!
Zoti e bekoftë figurën e tij dhe familjen Kuzhnini!

Nazmi JAKURTI, Kryetar i Lidhjes Shqiptare në Botë, 24 gusht 2019.