Lajme
Ndryshimi i TVSH-së shtrenjton jetën e kosovarëve
Ngritja e mëtejmë e normës së tatimit mbi vlerën e shtuar do të krijojë gjendje të re kaotike ndërmjet të ardhurave dhe shpenzimeve familjare në Kosovë. Lëvizja e përqindjes së TVSH-së nga 16 në 19 për qind, sipas njohësve të proceseve ekonomike, do të shtrenjtojë shumë shportën e konsumatorit.
Po qe se fillon së zbatuari norma e re e TVSH-së, atëherë goditjen e parë do ta pësojë çmimi i naftës. Sipas importuesve të naftës në Kosovë, një litër naftë me normë prej 19 për qind të TVSH-së mund të kushtojë nga 1.25 deri në 1.30 euro, derisa aktualisht një litër naftë kushton 1.15 euro.
Produkti bazë i ushqimit, mielli, i cili aktualisht shitet me çmimin prej 44 deri në 48 euro për njëqind kilogramë, do të kalojë çmimin prej 55 eurove, duke arritur çmimin e vitit 2007, po qe se rritet TVSH-ja. Edhe artikujt e tjerë, si sheqeri, vaji, mishi dhe produktet bazë të ushqimit do të pësojnë shtrenjtim të konsiderueshëm. Një litër vaj për ushqim tashmë shitet me çmimin prej 1.60 eurosh. Ky çmim do të rritet në afro 1.70 euro po qe se ndryshon TVSH-ja. Ndërsa masa prej 50 kilogramëve e sheqerit, çmimi aktual i të cilit është 44 euro, do të kushtojë mbi 50 euro në rast të ndryshimit eventual të TVSH-së.
Në Ministrinë e Ekonomisë dhe të Financave kanë mohuar nga fundi i javës së kaluar se do të ketë ndryshim të ri të përqindjes së TVSH-së, ndonëse e kanë lënë të hapur opsionin se ndryshime mund të ndodhin pas vizitës së ministrit të shkarkuar për Ekonomi, Ahmet Shala, në SHBA. Zyrtarë të kësaj ministrie thonë se nuk dinë detaje rreth bisedimeve në takimet e parapara në agjendë të ish-ministrit Shala. “Në momentin që do të marrim informacione për zhvillimin e takimeve të ministrit me zyrtarë të lartë të FMN-së, ne do t’ju informojmë”, ka thënë zëdhënësi i MEF-it, Muharrem Shahini.
Në fushatën zgjedhore gjatë muajit dhjetor, kryeministrit në largim Hashim Thaçi pati premtuar se do të ulë normën e tatimeve për bukën dhe miellin në 9 për qind, nga 16 për qind sa është aktualisht. Ndërkohë, përkundër zvogëlimit të përqindjes së TVSH-së mbi bukën, artikujt e tjerë si duhani dhe alkooli, sipas premtimeve të kryeministrit, do t’u vihet norma deri në 22 për qind e TVSH-së.
Lumir Abdixhiku, drejtor ekzekutiv në institutin “Riinvest”, ka thënë se rritja e shpenzimeve buxhetore përtej kapaciteteve gjeneruese të të hyrave do të sjellë një sërë pasojash ekonomike në radhë të parë për qytetarët, e më pas edhe për bizneset dhe përfundimisht për vetë funksionalizmin ekonomik të vendit. “Alternativa e vetme për mbulimin e deficitit potencial, të shkaktuar nga rritja e pagave, është shitja e aseteve nacionale dhe rritja e tatimeve.
Derisa e para është rrumbullakuar me shitjen e PTK-së, kjo e fundit ka gjasa të fillojë me ngritjen e TVSH-së”, ka thënë Abdixhiku. Ai ka theksuar se ngritja e normës së TVSH-së domosdo do të jetë goditja më e rëndë që i bëhet ekonomisë në tërësi, me theks të veçantë standardit të jetesës së kosovarëve.“Ngritja e TVSH-së prek pothuajse të gjitha produktet bazike në vend dhe çdo rritje e saj është e lidhur ngushtë me rritjen e çmimeve të gjithëmbarshme”, ka theksuar ai.
E-Diaspora
-
Luljeta Elezi, artistja e parë shqiptare anëtare e rregullt e Shoqatës Ndërkombëtare Frédéric Chopin Emërimi në shoqatën prestigjioze në Varshavë vjen si vlerësim për interpretimet e saj të suksesshme të... -
Ambasadori Ajeti: Goethe-Institut heq fusnotën nga emri i Kosovës -
Haxhiu – mërgimtarëve: Kosova ju pret me zemër të hapur, mirë se vini në shtëpi -
Isah Mustafa merr pjesë në Festivalin prestigjioz të Avignon-it në Francë -
Lidhja e Mjekëve Shqiptarë në Zvicër: Dr. Imer Hajdari la pas një trashëgimi të çmuar në shërbim të pacientëve
Jeta në Zvicër
-
SVP kërkon lehtësim të rregullave për instalimin e kondicionerëve në Gjenevë Partia argumenton se spitalet, shkollat dhe shtëpitë e kujdesit nuk duhet të përballen me procedura të... -
Trafiku në Zvicër rritet me rritjen e kostove -
Gjenevë: Ndalohet shitja e cigareve elektronike, në pritje të një vendimi përfundimtar nga sistemi federal i drejtësisë -
Nëntë kilometra bllokim trafiku në Portalin Verior të Gotthardit -
Zvicra i bashkohet paktit të blerjes së municioneve të NATO-s












