Kosova

Në Ditën e çlirimit, përurohet shtatorja e Hasan Prishtinës

Në 20-vjetorin e ditës së çlirimit të qytetit të Vushtrrisë është inauguruar sheshi dhe shtatorja e patriotit Hasan Prishtina në Vushtrri.

Me këtë shtatore, ky i fundit është ‘kthyer’ në vendin e tij, nga ku  u tha se do të kujtohet përjetë jeta dhe vepra e tij.

Siç raporton Kosovapress, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, tha se përulen para atyre të cilët derdhen gjak për lirinë e vendit. Ai po ashtu tha se në këtë përvjetor agoi dielli i lirisë për qytetin historik, të cilin ai e udhëheq tani.

Tahiri u shpreh krenar që në këtë përvjetor përmes inaugurimit të shtatores së Hasan Prishtines, ai po kthehet në vendin e tij të lindjes. Ai shtoi se kjo shtatore duhet të shërbejë si inspirim për vazhdimin e rrugës së tij.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemail Minxhozi, tha se Hasan Prishtina ka eshtrat nën dhe, por ai është i gjallë.

Kurse në emër të shoqatave të dala nga lufta, Shaip Hyseni tha se do ta kujtojnë gjithmonë luftën e pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për liri dhe pavarësi të vendit.

Të pranishëm në këtë përvjetor ishin edhe kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ai i Mitrovicës, Agim Bahtiri, kryetari i VV-së, Albin Kurti dhe shumë përfaqësues politikë e qytetarë të këtij vendi.

Kuvendi Komunal ka ndarë edhe mirënjohje për dëshmorët e rënë.

Ndërkaq, është ndarë edhe çmimi “Pena e artë” për Remzie Zekollin, për kontributin e dhënë në fushën e letërsisë.

Me çmimin “Nderi i Qytetit”, kryetari Tahiri ka dekoruar atdhetarin Ali Jonuzi. Në emër të presidentit janë ndarë  dekorata “Hero i Kosovës” për Avni Saraqi, Bahri Kuçi, Bektesh Haliti, Andi Hajrizi, Nezir Ymeri e disa të tjerë.