Integrimi

Në mes të punës në bankë dhe politikës

I njohur më shumë si politikan, Përparim Avdili punon në bankën “Swisscanto” ku udhëheq sektorin “Investment Services”. Në intervistën e tij për albinfo.ch, Përparimi flet për jetën dhe punën e tij në mes të bankës dhe politikës

Si një punonjës profesionist bankash prej vitesh, pas një dite të lodhshme mes shifrave, Përparim Avdili gjen kohë edhe për politikë, duke u marrë me problemet e përditshme të një pjese të qytetit të Cyrihut, në cilësinë e deputetit të Asamblesë së qytetit më të madh të Zvicrës, si shqiptari i parë në këtë post.

Jo shumë gjatë në këtë post, për Përparimin vijnë rezultatet e para. Politikani shqiptar me rrënjë nga Kumanova flet për njërin ndër aktet e para politike të tij si deputet i Cyrihut, iniciativë parlamentare që u mundëson të rinjve dhe të huajve me vendbanim në qytetin e Zürich-ut të parashtrojne në Kuvend si individë një kërkesa në lidhje me komunën.

Nisma e Përparimit është përkrahur nga të gjitha fraksionet përveç atij të SVP-së. “Një hap i rëndësishëm për një vend liberal”, thotë Përparimi teksa fillon të rrëfejë për jetën e një bankieri.

Albinfo.ch: Nëse punoni në një bankë a do të thotë se keni shumë para?

Përparim Avdili: Jo detyrimisht. Ka sektorë tjerë si për shembull ai i farmacisë apo informatikës, ku rrogat përkundër perceptimeve të opinionit të gjerë, pjesërisht janë më të larta se në banka. Pastaj sektori bankar është shumë i madh në rajonin e Cyrihut, janë të punësuar më shumë se 40 mijë persona vetëm në këtë sektor në rajon, përfshirë këtu profesione të ndryshme nga kontabilistë e deri te bankierë tipikë që këshillojnë klientët e pasur nga e gjithë bota. Pra, jo paraja nuk të bën punonjës banke, por profesioni qe mësohet me punë dhe shkollim specifik. Diçka dhe për të theksuar: kohët e arta të bankave kanë ikur siç ishin në vitet e 90, në Cyrih nuk është asgjë speciale tanimë të punosh në një bankë.

Emrat shqiptarë që frekuentojnë nëpër bankat zvicerane, janë të shumtë. Çfarë do të thotë kjo për komunitetin shqiptar në Zvicër?

Ky fakt dëshmon që shqiptarët në Zvicër janë, në formë të plotë, pjesë e shoqërisë së vendit. Shqiptarët as nuk kanë krijuar shoqëri paralele siç ndodh në vendet tjera me komunitete të ndryshmë por po ashtu as nuk kanë ngelur në profesionet e prindërve të tyre. Pra janë shkolluar individualisht sipas preferencave personale dhe jo sipas ideve kolektive. Është një vlerë e madhe zvicerane që çdokush të identifikojë veten dhe vlerën e vet edhe përmes punës dhe profesionit që ushtron, dhe këtë vlerë edhe shqiptarët e kanë adaptuar.

Çfarë pozitash kanë zënë shqiptarët nëpër bankat zvicerane?

Të shumta. Pothuajse në të gjithë sektorët dhe llojet e profesioneve që ofrohen nga bankat, janë të përfshirë edhe shqiptarët, gjë që tregon dhe qartëson normalitetin edhe të faktit që shqiptarët nuk jane shoqëri jashtë trupit zviceran por bëjnë të njëjtën rrugë profesionale, si çdokush tjetër në këtë vend. Siç e përmendëm më heret, në sektorin e bankave të rajonit të Cyrihut janë të punësuar rreth 40 mijë veta, dhe këtu ka të përfshirë qindra shqiptarë në fusha të ndryshme brenda sektorit. Diçka që bie në sy është po ashtu dhe numri i konsiderueshëm i nxënësve me emra shqiptarë në tri bankat më të mëdha në Cyrih ku kam punuar: Credit Suisse, UBS dhe Zürcher Kantonalbank.

Nëse do të të kërkohej ta braktisje njëri prej profesioneve, cilin do ta mbanit?

Politika në Zvicër, fatmirësisht nuk është profesion, por angazhim shoqëror. Së paku politikani parlamentar në Zvicër zakonisht ushtron dhe profesionin e tij ndërsa politikën e merr si angazhim shtesë. Këtu flitet për “Milizsystem” që mban larg profesionalizimin e politikës, me dy arsye: që politikanët të mos krijojnë një varësi nga politika, e cila do të rrezikonte edhe shtetin dhe që politikanët të sjellin përvoja reale dhe praktike nga jeta profesionale edhe në politikë. Kjo është dhe arsyeja ime e angazhimit politik, dhe si i tillë dua të qëndroj edhe më tutje. Pra, të ushtroj profesionin tim ku po ndjek padyshim dhe karrierën time, pastaj që njohuritë dhe përvojat e jetës shoqërore dhe profesionale t`i sjell në politikë për të mirën e qytetarëve. I vetmi rast ku përjashtohet kjo, është nëse futem në ekzekutiv, por realisht nuk bëhet fjalë për këtë gjë në vitet e ardhshme.

Cila është pozita në të cilën ju punoni aktualisht në bankë?

Këtë vit kam kaluar në “Swisscanto” që është pjesë e bankës kantonale të Cyrihut, Zürcher Kantonalbank. Aty e udhëheq një sektor që quhet “Investment Services”, u shërbejmë klientëve institucionalë si për shembull fonde pensionale apo fondacione të ndryshme.

Përse ju pëlqen puna në bankë?

Nuk besoj që njeriu pasionin e jetës e gjen në bankë, por me siguri që është një vend pune interesant ku ka potencial të madh për t’u zhvilluar edhe vetë. Kohët aktualisht nuk janë stabile në sektorin e financave dhe bankave, gjë që e bën edhe më sfidues këtë profesion. E mira e kësaj është që të krijon një presion pozitiv për t’u zhvilluar vazhdimisht, qoftë në aspektin personal por edhe shkollor.

Rruga e një bankieri?

Me plot shifra…

Në politikë, një liberal i bindur

Avdili në politikën e Cyrihut dhe më gjerë ka bërë emër si politikan konsekuent në bindjet e tij liberale. Ai është vetëm 30 vjeçar, i lindur në rrethin e Kumanovës, Maqedoni, ndërsa nga mosha njëvjeçare jeton në Zvicër, gjegjësisht në Cyrih. Ka qenë kandidat në zgjedhjet kantonale të Cyrihut dhe ato federale në vitin 2015, kur votat e fituara nuk i kishin mjaftuar për t`u zgjedhur. Avdili qe vënë në fokus të medieve zvicerane kur e kishte publikuar një video në të cilën kërkonte votën e shqiptarëve në gjuhën shqipe.

Shqiptarët, të pranishëm në të gjithë sektorët bankarë

Pothuajse në të gjithë sektorët dhe llojet e profesioneve që ofrohen nga bankat, janë të përfshirë edhe shqiptarët, gjë që tregon dhe qartëson normalitetin edhe të faktit që shqiptarët nuk jane shoqëri jashtë trupit zviceran por bëjnë të njëjtën rrugë profesionale, si çdokush tjetër në këtë vend. Siç e përmendëm më heret, në sektorin e bankave të rajonit të Cyrihut janë të punësuar rreth 40 mijë veta, dhe këtu ka të përfshirë qindra shqiptarë në fusha të ndryshme brenda sektorit